02 Aftësia jonë është prej Perëndisë


Aftësia jonë është prej Perëndisë

     
“Por mbi të gjitha ai shkëlqente në lutje.  Shpesh thellësia dhe pesha e frymës së tij, nderimi e solemniteti i të folurit e sjelljes së tij dhe konçiziteti e plotësia e fjalëve të tij, të cilat u drejtoheshin të tjerëve plot ngushëllim, kanë bërë që edhe njerëz të panjohur të mbushen plot admirim.  Jetesa më mahnitëse dhe gjëja më e nderuar që kam ndjerë apo kam parë ndonjëherë ka qenë lutja e tij.  Dhe vërtet, ajo ishte një dëshmi.  Ai jetonte dhe e njihte Zotin më nga afër se njerëzit e tjerë, sepse ata që e njohin Atë më shumë shohin akoma më shumë arsye për t'iu afruar Atij me nderimin dhe frikën më të madhe”.
William Penn për George Fox-in

      Me anë të një shtrembërimi të lehtë, hiret më të mëdha mund të prodhojnë frytet më të hidhura.  Dielli jep jetën, por pika e diellit është vdekje.  Predikimi është për të dhënë jetë, por ai edhe mund të vrasë. Predikuesi mban çelësat; ai mund të mbyllë ashtu si edhe mund të hapë.  Të predikuarit është metoda e madhe e Perëndisë për mbjelljen dhe maturimin e jetës frymërore.  Kur përdoret ashtu siç duhet, përfitimet që vijnë prej tij nuk mund të shprehen me fjalë.  Kur keqpërdoret, s’ka të keqe që t’u kalojë pasojave të tij dëmtuese.
      Është diçka shumë e lehtë ta shkatërrosh tufën nëse bariu është i pakujdesshëm ose nëse kullota shkatërrohet.  Është e lehtë ta zaptosh një kështjellë nëse vrojtuesit janë në gjumë ose nëse ushqimi dhe uji helmatisen.  Duke pasur gjithë këto privilegje kaq të hirshme, duke qenë i zbuluar ndaj kaq e kaq ligësive të mëdha, duke përfshirë gjithë këto përgjegjësi kaq të mëdha, ai do të ishte parodi për dinakërinë e djallit – një shpifje për karakterin dhe namin e tij – nëse ai nuk do të përdorte ndikimet e tij mjeshtërore për t’i ndotur predikuesin dhe predikimin.  Përballë gjithë këtyre gjërave, thirrja pyetje që Pali bën: “Dhe kush është i aftë për këto?” (2 Kor. 2:16) nuk është kurrë pa vend.
      Pali thotë: “aftësia jonë është prej Perëndisë, i cili na bëri të aftë të jemi shërbenjës të besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Frymës, sepse shkronja vret, por Fryma jep jetë” (2 Kor. 3:5-6).  Shërbesa e vërtetë është një shërbesë që ka prekjen e Perëndisë, aftësimin prej Perëndisë, një shërbesë që është bërë prej Perëndisë.  Fryma e Perëndisë është mbi predikuesin me një fuqi vajosëse.  Fryti i Frymës është në zemrën e tij.  Fryma e Perëndisë i ka dhënë jetë njeriut dhe fjalës; predikimi i tij jep jetë, jep jetë ashtu si një burim.  Fjalët e tij japin jetë ashtu siç jep ringjallja.  Predikimet e tij japin jetë të vrullshme ashtu si stina e verës jep jetë të vrullshme.  Predikimi i tij jep jetë të frytshme ashtu si vjeshta jep jetë të frytshme.  Predikuesi jetëdhënës është një njeri i Perëndisë, shpirti i të cilit është në ndjekje të vazhdueshme të Perëndisë.  Syri i tij sheh vetëm drejt Perëndisë dhe në të, me anë të fuqisë së Frymës së Perëndisë, mishi dhe bota janë kryqëzuar.  Shërbimi i tij është si rrjedha bujare e një lumi jetëdhënës.
      Predikimi që vret është predikim jofrymëror.  Aftësia për të predikuar nuk është prej Perëndisë.  Janë burime më të ulta se Perëndia ato nga të cilat zë fill dhe merr fuqi ai.  Fryma nuk duket as në predikuesin as në predikimin e tij.  Lloje të shumta forcash mund të zmadhohen e stimulohen prej predikimit që vret, por ato nuk janë forca frymërore.  Mund t’u ngjajnë forcave frymërore, por janë vetëm hije, falsifikat.  Mund të duket sikur kanë jetë, por jeta është false.  Predikimi që vret është shkronja.  Ai mund të jetë i bukur dhe i rregullt, por prapë mbetet shkronjë – shkronjë e thatë, shkronjë byk, guackë boshe dhe e zhveshur.  Shkronja mund të ketë embrionin e jetës në vetvete, por nuk ka frymën e pranverës që ta ngjallë atë.  Ato janë fara dimri, të forta sa edhe vetë toka e dimrit, të akullta sa edhe vetë ajri i dimrit.  Ato as nuk zbuten dhe as nuk mbijnë.
      Ky predikim-shkronjë ka të vërtetën.  Por edhe e vërteta hyjnore kur është e vetmuar nuk ka energji jetëdhënëse.  Ajo duhet të marrë energji prej Frymës, me gjithë forcat e Perëndisë që e shoqërojnë.  E vërteta pa jetën e Frymës së Perëndisë sjell vdekjen aq sa, ose edhe më shumë se, e pavërteta.  Mund të jetë e vërteta, por pa Frymën hija dhe prekja e saj janë vdekjeprurëse.  E vërteta e saj është e pavërtetë, drita e saj errësirë.
      Mund të ketë edhe lotë, por nuk janë lotët ata që e vënë në lëvizje makinerinë e Perëndisë.  Lotët nuk mund të jenë gjë tjetër veçse shprehje të sipërfaqshme.  Mund të ketë ndjenja dhe zellshmëri, por këto janë emocionet e aktorit dhe zelli i një prokurori.  Predikuesi mund të marrë zjarr prej ndezjes së shkëndijave të veta, mund të jetë elokuent mbi shpjegimin e tij dhe i zellshëm në dhënien e prodhimit të mendjes së tij, por mesazhi i fjalëve të tij mund të jetë i vdekur dhe i pafryt.  Pedagogu mund të imitojë zjarrin e apostujve; truri dhe nervat mund të shtiret si puna e Frymës së Perëndisë dhe me anë të këtyre forcave shkronja mund të vezullojë e shndritë si një tekst i ndriçuar, por vezullimi dhe shndritja do të jenë aq të shkreta sa edhe fusha e mbjellë me perla.  Elementi vdekjeprurës qëndron prapa fjalëve, prapa predikimit, prapa rrethanave, prapa manierës, prapa veprimit.
      Pengesa e madhe është vetë predikuesi.  Ai nuk gjen në brendësi të vetes forcat e mëdha jetëkrijuese.  Ndoshta mund të mos ketë asgjë të mangët në ortodoksinë, ndershmërinë, pastërtinë apo zellshmërinë e tij.  Por, në njëfarë mënyre, njeriu – njeriu i brendshëm – në skutat e tij të fshehta nuk është thyer dhe nuk i është dorëzuar Perëndisë kurrë.  Jeta e tij e brendshme nuk është një autostradë ku të kalojë mesazhi i Perëndisë, fuqia e Perëndisë.
      Në njëfarë mënyre, është vetja, jo Perëndia, ajo që sundon në shenjtërinë e shenjtërive.  Në njëfarë mënyre, ashtu si pa e kuptuar ai vetë, një mospërçues ka prekur qenien e tij të brendshme.  Rrymës hyjnore i është penguar rrjedha.  Qenia e brendshme e tij nuk e ka ndjerë kurrë falimentimin e saj të rëndë, pafuqinë e saj të plotë.  Ai nuk ka mësuar kurrë të këlthasë me një thirrje të papërshkrueshme të dëshpërimit ndaj vetes dhe gjendjes së pashpresë, deri sa fuqia dhe zjarri i Perëndisë të vijnë, të mbushin, të pastrojnë dhe të fuqizojnë.  Vlerësimi i vetes – vetëzotësia në një formë të keqe – ka përfolur dhe dhunuar tempullin që duhet të mbahet i shenjtë për Perëndinë.
      Predikimi jetëdhënës i kushton predikuesit shumë – vdekje ndaj vetes, kryqëzim ndaj botës, dhimbje ndaj shpirtit të tij.  Vetëm predikimi i kryqëzuar mund të japë jetë.  Predikimi i kryqëzuar mund të vijë vetëm nga një njeri i kryqëzuar.

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.