Unë të kërkoj në mëngjes
“Unë duhet të lutem para se të takoj njeri. Shpesh kur fle gjatë ose kur takohem me të
tjerët herët, shkon ora njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë para se të filloj lutjen
në privaci. Ky është një sistem i mjerë.
Nuk është biblik. Krishti ngrihej para se të çelte dita dhe
shkonte në një vend të vetmuar; Davidi thotë: “Unë të kërkoj në mëngjes”, “Ti në mëngjes dëgjon zërin tim”. Lutja e familjes humbet shumë nga fuqia dhe
ëmbëlsia e saj dhe nuk mund të jem aspak i dobishëm ndaj atyre që kërkojnë prej
meje. Ndërgjegjja ime ndjehet fajtore,
shpirti i paushqyer, llampa ime jo në gatishmëri. Pastaj, kur futem në lutjen në privaci,
shpirti është shpesh i çakorduar. E
ndiej se është shumë më mirë të filloj me Perëndinë – ta shoh fytyrën e Tij së
pari – të afroj shpirtin tim pranë Tij para se ai të jetë pranë ndonjë tjetri”.
Robert Murray McCheyne
Njerëzit që
kanë bërë më shumë për Perëndinë në këtë botë kanë qenë nga ata që binin qysh
herët mbi gjunjët e tyre. Ai që e kalon
kot mëngjesin e herët – mundësinë dhe freskinë e tij – në gjëra të tjera dhe jo
në kërkimin e Perëndisë do të ketë pak sukses në kërkimin e Tij gjatë pjesës
tjetër të ditës. Nëse Perëndia nuk është
i pari në mendimet dhe përpjekjet tona të mëngjesit, Ai do të jetë i fundit në
pjesën tjetër të ditës.
Prapa kësaj
ngritjeje herët dhe kësaj lutjeje herët është dëshira e zjarrtë që na nxit në
këtë kërkim të Perëndisë. Plogështia e
mëngjesit tregon për një zemër të plogët. Zemra që është e shkujdesur në kërkimin e
Perëndisë në mëngjes e ka humbur shijen e Tij. Zemra e Davidit ishte e zjarrtë në kërkimin e
Perëndisë. Ai kishte etje dhe uri për
Të. Ai e kërkonte Perëndinë herët – para
se të dilte drita. Shtrati dhe gjumi nuk
mund ta pengonin shpirtin e tij në zellin e kërkimit të Perëndisë. Krishti kërkonte gjithmonë shoqërinë me
Perëndinë dhe kështu, duke u ngritur shumë para se të agonte dita, Ai shkonte
në mal për t'u lutur. Dishepujt e tij –
kur zgjoheshin nën ndjenjën e turpit për shkujdesjen e tyre – dinin se ku ta
gjenin. Mund të japim një listë të tërë
njerëzish që kanë vepruar fuqimisht në botë për Perëndinë dhe do të shohim se
ata e kërkonin qysh herët Perëndinë.
Ajo dëshirë
për Perëndinë që nuk mund t'i thyejë zinxhirët e gjumit është diçka e dobët dhe
nuk do të sjellë asnjë dobi për Perëndinë. Ajo dëshirë për Perëndinë që mbetet shumë
prapa djallit dhe botës qysh në fillimin e ditës nuk do të kapërcejë kurrë
prapambetjen e saj.
Nuk është
thjesht të ngriturit shpejt ai që i nxjerr njerëzit në krye dhe që i bën ata
udhëheqës ndër luftëtarët e Perëndisë. Këtë
e bën dëshira e papërmbajtur që i nxit ata dhe i thyen zinxhirët e çdo lloj
kënaqësie ndaj vetes. Por ngritja herët
i jep vrull, rritje dhe forcë dëshirës. Nëse
ata do të kishin qëndruar në shtrat duke parë rehatinë e tyre, dëshira do të
ishte shuar. Dëshira ishte ajo që i
bënte të ngriheshin dhe i frymëzonte të kërkonin Perëndinë. Kjo vëmendje dhe ky veprim i papërtuar u dha
besimit të tyre njohjen e Perëndisë dhe zemrave të tyre zbulesën më të ëmbël
dhe më të plotë të Tij. Kjo forcë besimi
dhe kjo plotësi zbulese i bëri ata besimtarë të shquar. Shkëlqimi madhështor i shenjtërisë së tyre ka
zbritur poshtë te ne dhe ne kemi hyrë në gëzimin e fitoreve të tyre. Por ne ngopemi me gëzim dhe jo me prodhimtari.
Ndërtojmë varret e tyre dhe shkruajmë
epitafet e tyre, por bëjmë kujdes që të mos e ndjekim shembullin e tyre.
Kemi nevojë
për njerëz predikuesish që kërkojnë Perëndinë dhe e kërkojnë Atë herët. Kemi nevojë për njerëz të cilët i japin
Perëndisë freskinë dhe vesën e përpjekjeve të tyre dhe si shpërblim marrin
freskinë dhe plotësinë e fuqisë së Tij që Ai të mund të jetë si vesa për ta –
plot gëzim e forcë nëpër të gjithë vapën dhe punën e ditës. Përtacia jonë në kërkimin e Perëndisë është
mëkati ynë i lemerishëm. Njerëzit e
kësaj bote janë shumë më të mënçur se ne. Ata fillojnë herët dhe mbarojnë vonë. Ne nuk e kërkojmë Perëndinë me zell e me
ngulm. Asnjë njeri nuk e gjen Perëndinë
nëse nuk e ndjek me ngulm Atë. Dhe,
asnjë shpirt nuk e kërkon me ngulm Perëndinë nëse nuk e kërkon Atë qysh herët
në mëngjes.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.