09 Fuqi përmes lutjes

Fuqi përmes lutjes


      Asgjë nuk e pushton zemrën veç asaj që vjen prej zemrës, asgjë nuk e përshkon ndërgjegjen veç asaj që vjen prej ndërgjegjes së gjallë”.
William Penn

      “Në mëngjes isha më tepër i zënë me përgatitjen e mendjes se të zenrës.  Këtë gabim e kam bërë shpesh dhe gjithmonë e kam ndjerë të keqen e tij, veçanërisht në lutje.  Reformoje atë, atëherë, o Zot!  Zmadhoma zemrën dhe unë do të predikoj”.
Robert Murray McCheyne

      “Një predikim që përmban më shumë nga mendja se nga zemra nuk do të kapet me efikasitet prej dëgjuesve”.
Richard Cecil


      Lutja, me forcat e saj të shumëfishta dhe të shumëanshme, e ndihmon gojën të thotë të vërtetën në plotësinë dhe lirinë e saj.  Për predikuesin duhet të luten sepse predikuesi bëhet prej lutjeve. Për gojën e predikuesit duhet të luten – goja e tij duhet të hapet dhe të mbushet nga lutja.  Një gojë e shenjtë bëhet prej lutjes, prej shumë lutjeje.  Një gojë guximtare bëhet prej lutjes, prej shumë lutjeje.  Kisha dhe bota, Perëndia dhe qielli, i detyrohen shumë gojës së Palit.  Goja e Palit ia detyronte fuqinë e saj lutjes.
      Sa e shumëfishtë, e pakufishme, e vlefshme dhe e dobishme është lutja për predikuesin në kaq shumë aspekte, në kaq e kaq pika, në çdo mënyrë!  Një vlerë e madhe e saj është se ajo ndihmon zemrën e tij.
      Të luturit e bën predikuesin një predikues zemre.  Lutja e vendos gjithë zemrën e predikuesit në predikimin e tij.  Lutja e vendos predikimin e predikuesit në zemrën e tij.
      Zemra e bën predikuesin.  Njerëzit me zemra të mëdha janë predikues të mëdhenj.  Njerëzit me zemër të keqe mund të sjellin ndopak dobi, por kjo është e rrallë.  Rrogëtari dhe i huaji mund t’i ndihmojnë delet për një moment, por është bariu i mirë me zemrën e mirë të bariut të mirë ai që do t’i bekojë delet dhe do të zërë plotësisht vendin e bariut.
      E kemi theksuar përgatitjen e predikimit deri sa kemi humbur nga sytë gjënë e rëndësishme që duhet përgatitur – zemrën.  Një zemër e përgatitur është shumë më e mirë se një predikim i përgatitur.  Zemra e përgatitur DO TË BËJË një predikim të përgatitur.
      Volume të tëra janë shkruar të cilët japin mënyrën e detajuar të bërjes së predikimeve.  Jemi pushtuar kaq shumë nga ideja se gjithë kjo strukturë skelash është ndërtesa.  Predikuesit të ri i është mësuar që të punojë fuqimisht për formën, shijen dhe bukurinë e predikimit të tij si një produkt mekanik i intelektit.  Kështu pra kemi kultivuar një shije të keqe mes njerëzve dhe kemi rritur zhurmën për talent në vend të hirit. Kemi theksuar elokuencën në vend të përkushtimit, retorikën në vend të zbulesës, reputacionin dhe shkëlqimin në vend të shenjtërisë.  Me këtë, kemi humbur idenë e vërtetë të predikimit. Kemi humbur fuqinë e predikimit dhe bindjen therëse për mëkatin.  Gjithashtu kemi humbur përvojën e pasur dhe ngritjen e karakterit të krishterë, kemi humbur autoritetin hyjnor mbi ndërgjegjen dhe jetën që rezulton gjithmonë nga predikimi vërtet i mirë.
      Nuk do të donim të thoshim se predikuesit studjojnë shumë më tepër nga ç’duhet.  Disa prej tyre nuk studjojnë mjaftueshëm. Shumë prej tyre nuk studjojnë në mënyrën e duhur që të tregojnë veten punëtorë të aprovuar prej Perëndisë.  Por mangësia jonë nuk është në kulturën e mendjes, por në kulturën e zemrës.  Jo mungesa e diturisë, por mungesa e shenjtërisë është difekti ynë i keq dhe trishtues – jo se dimë më tepër se ç’duhet, por se nuk meditojmë për Perëndinë dhe Fjalën e Tij dhe nuk vigjëlojmë, lutemi dhe agjërojmë mjaftueshëm.  Zemra është pengesa e madhe e predikimit tonë.  Fjalët e mbarsura me të vërtetën hyjnore nuk ndihmohen prej zemrave tona.  Kështu, të ndalura, ato bien përtokë të pafuqishme.
      A ka mundësi që ambicja që lakmon pas lavdërimit dhe pozitës të predikojë ungjillin e Atij që zhveshi gjithë reputacionin e Tij dhe mori formën e një shërbëtori?  A ka mundësi që krenari, i krekosuri dhe egoisti të predikojë ungjillin e Atij që ishte i përulur, i urtë dhe i bindur?  A ka mundësi që gjaknxehti, zemëraku, egoisti, i ashpri, ai që i takon botës të predikojë doktrinën që bazohet mbi durimin, vetëmohimin, butësinë dhe që kërkon me patjetër shkëputjen nga armiqësia dhe kryqëzimin ndaj botës?  A ka mundësi që punëtori rrogëtar i pazemër dhe i përciptë të predikojë Ungjillin i cili kërkon që Bariu të japë jetën e Tij për delet?  A ka mundësi që njeriu lakmitar, që kërkon rrogën dhe paranë, të predikojë Ungjillin deri sa të ketë pastruar zemrën e tij dhe të mund të thotë në frymën e Krishtit dhe Palit me fjalët që tha Wesley: “I llogaris ato për pleh e ndyrësi; i shkel ato me këmbë; unë (megjithatë jo unë, por hiri i Perëndisë te unë) i vlerësoj ato po aq sa edhe baltën e rrugës, nuk i dëshiroj, nuk i kërkoj”?
      Zbulesa e Perëndisë nuk ka nevojë për dritën e gjenisë njerëzore, llustrin dhe forcën e kulturës njerëzore, shkëlqimin e mendimit njerëzor, forcën e trurit njerëzor për ta stolisur dhe fuqizuar.  Por, ajo kërkon vërtet, thjeshtësinë, butësinë, përulësinë dhe besimin e zemrës së një fëmije.
      Ishte pikërisht ky nënshtrim dhe dorëzim i intelektit dhe gjenisë ndaj forcave hyjnore dhe frymërore ai që e bëri Palin të pakrahasueshëm mes apostujve.  Ishte pikërisht kjo gjë që i dha Wesley-it fuqinë e tij.
      Nevoja jonë e madhe është përgatitja e zemrës.  Luteri e mbante këtë si aksiomë: “Ai që u lut mirë, ka studjuar mire”.  Nuk themi këtu se njerëzit nuk duhet të mendojnë dhe ta përdorin intelektin e tyre.  Por, ai që e kultivon zemrën e tij më shumë, do ta përdorë intelektin e tij më mirë.  Nuk po themi se predikuesit nuk duhet të jenë studjues.  Por, po themi se studimi i tyre i madh duhet të jetë Bibla; dhe ai që e ka ruajtur zemrën e tij me ngulm është ai që studjon Biblën më mirë.  Nuk po themi se predikuesi nuk duhet t’i njohë njerëzit.  Por, ai që ka matur thellësitë dhe ka parë koklavitjen e zemrës së vet do të jetë më i miri në njohjen e natyrës njerëzore.
      Po themi se ndërsa kanali i predikimit është mendja, burimi i tij është zemra.  Mund ta zgjerosh e thellosh kanalin, por në qoftë se nuk kujdesesh mirë për pastërtinë dhe thellësinë e burimit, do të kesh një kanal të thatë dhe të ndotur.  Pothuaj çdo njeri me një zgjuarsi mesatare ka aq mundësi sa të predikojë Ungjillin, por shumë të paktë janë ata që kanë hirin e mjaftueshëm për ta bërë këtë gjë.  Ai që është përleshur me zemrën e vet dhe e ka bërë zap atë – që i ka mësuar asaj përulësinë, besimin, dashurinë, të vërtetën, mëshirën, dhembshurinë, kurajon; që mund të derdhë thesaret e pasura të zemrës njerëzore të stërvitur në këtë mënyrë dhe të mbimbushur me fuqinë e Ungjillit në ndërgjegjen e dëgjuesve të tij – një person i tillë do të jetë predikuesi më i vërtetë dhe më i suksesshëm sipas vlerësimit të Zotit të Tij.
      Zemra është shpëtimtari i botës.  Kokat nuk shpëtojnë.  Gjenia, truri, shkëlqimi, forca, talentet natyrore nuk shpëtojnë.  Ungjilli rrjedh përmes zemrave.  Gjithë forcat më të fuqishme janë forcat e zemrës.  Gjithë hiret më të bukura dhe më të ëmbla janë hiret e zemrës.  Zemrat e mëdha bëjnë karaktere të mëdha; zemrat e mëdha bëjnë karaktere hyjnore.  Perëndia është dashuri. Nuk ka asgjë më të madhe se dashuria, asgjë më të madhe se Perëndia.  Zemrat bëjnë qiellin; qielli është dashuri.  Nuk ka asgjë më të lartë, asgjë më të ëmbël se qielli.  Është zemra dhe jo mendja ajo që bën predikuesit e mëdhenj të Perëndisë.  Zemra ka rëndësi në çdo drejtim për Krishterimin.  Zemra duhet të flasë prej katedrës.  Zemra duhet të dëgjojë nga stolat.  Në fakt, i shërbejmë Perëndisë me zemrat tona.  Homazhi që vjen prej kokës nuk vlen për qiellin.
      Ne besojmë se një nga gabimet më serioze dhe më popullore të katedrës së sotme është fakti që ajo përfshin më tepër mendim se lutje – më tepër mendje se zemër – në predikimet e saj.  Zemrat e mëdha bëjnë predikues të mëdhenj; zemrat e mira bëjnë predikues të mirë.  Një shkollë teologjike për ta zmadhuar dhe kultivuar zemrën është dëshira e artë e Ungjillit.  Pastori i mban njerëzit e tij të lidhur me veten dhe i drejton ata nëpërmjet zemrës së tij.  Ata mund të admirojnë dhuntitë e tij; mund të jenë krenarë për aftësinë e tij; ata mund të ndikohen ndërkohë prej predikimeve të tij.  Por, fortesa e fuqisë së tij është zemra e tij.  Skeptri i tij është dashuria.  Froni i fuqisë së tij është zemra e tij.
      Bariu i mirë jep jetën e tij për delet.  Kokat nuk bëjnë kurrë martirë.  Është zemra ajo që e nënshtron jetën ndaj dashurisë dhe besnikërisë.  Duhet kurajo e madhe të jesh pastor i madh, por vetëm zemra mund të japë këtë kurajo.  Dhuntitë dhe gjenia mund të jenë kurajoze, por ato janë dhunti dhe gjeni të zemrës dhe jo të kokës.
      Është më lëhtë të mbushësh kokën se të përgatitësh zemrën.  Është më e lehtë të përgatitësh një predikim truri se një predikim zemre.  Ishte zemra ajo që e zbriti Birin e Perëndisë prej qiellit.  Është zemra ajo që do t'i tërheqë njerëzit drejt qiellit.  Bota ka nevojë për njerëz me zemër që të ndiejnë simpati për mjerimin e saj, ta ngushëllojnë në dhimbjet e saj, të ndiejnë dhembshuri për mizerjen e saj dhe të lehtësojnë dhimbjet e saj.  Krishti ishte dukshëm njeriu i dhimbjeve, sepse ai ishte mbi të gjitha njeri i zemrës.
      “Ma jep zemrën” – është thirrja e Perëndisë ndaj njerëzve.  “Ma jep zemrën” – është kërkesa e njeriut ndaj njeriut.
      Shërbimi profesionist është një shërbim pa zemër.  Kur rroga luan një rol të madh në shërbim, zemra luan rol të vogël.  Mund ta bëjmë predikimin punën tonë dhe të mos vëmë zemrat tona në këtë punë.  Ai që vë veten e tij në fillim të predikimit të tij, vë zemrën në fund.  Ai që nuk mbjell me zemrën e tij në studimin e tij, nuk do të korrë kurrë për Perëndinë.  Dhomëza është studimi i zemrës.  Atje më tepër se në bibliotekat tona do të mësojmë se si të predikojmë dhe çfarë të predikojmë.  “Jezusi u përlot” është vargu më i shkurtër dhe më i madh në Bibël.  Është ai që ecën duke QARË (jo duke bërë predikime të mëdha), duke mbajtur farën e çmuar, ai që do të vijë përsëri duke kënduar këngë gëzimi e duke sjellë duajt e tij (Ps. 126:6).

      Lutja i jep dituri, i sjell urtësi, e zgjeron dhe e forcon mendjen.  Dhomëza e lutjes është një mësues dhe një shkollë e përsosur për predikuesin.  Mendimi nuk bëhet i shkëlqyer dhe i kulluar vetëm në lutje, por mendimi lind në lutje.  Mund të mësojmë më shumë në një orë lutje, kur lutemi vërtet, se në shumë orë studim rigoroz.  Në dhomëzë ka libra të cilat nuk mund të gjenden dhe lexohen në asnjë vend tjetër.  Në dhomëzë bëhen zbulesa që nuk mund të bëhen në asnjë vend tjetër.

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.