12 Çfarë do të donte Perëndia

Çfarë do të donte Perëndia


      Nëse disa të krishterë që vetëm janë ankuar për pastorët e tyre, do të kishin thënë e bërë më pak para njerëzve dhe do t'i ishin përveshur me gjithë fuqinë e tyre lutjes ndaj Perëndisë për pastorët e tyre – nëse do të ishin ngritur dhe do të kishin sulmuar qiellin me lutjet e tyre të përulura, të zjarrta dhe të papushuara për ta – ata do të kishin qenë më shumë në rrugën e suksesit”.
Jonathan Edwards


      Në njëfarë mënyre praktika e të luturit për predikuesin ka rënë në mospërdorim, ose është kthyer në diçka të pavlerë.  Me raste kemi dëgjuar që t’i referohen kësaj praktike si një ulje për shërbimin.  Disa mendojnë se ajo është një shpallje publike e paefektshmërisë së shërbimit.  Ndoshta të luturit për predikuesin fyen krenarinë e diturisë dhe vetëzotësisë.  Por këto DUHET të fyhen dhe të qortohen nëse shërbimi është lënë kaq shumë pas dore sa të lejojë ekzistencën e tyre.
      Lutja, për predikuesin, nuk është thjesht një detyrë e profesionit të tij, një privilegj, por ajo është një domosdoshmëri.  Ajri nuk është më shumë i domosdoshëm për mushkëritë se sa është lutja për predikuesin.  Është absolutisht e domosdoshme për predikuesin që të lutet.  Është një domosdoshmëri absolute që për predikuesin të luten.  Këto dy gjëra janë lidhur në një unitet i cili nuk duhet kurrë të njohë divorc.  PREDIKUESI DUHET TË LUTET, PËR PREDIKUESIN DUHET TË LUTEN.  Kërkohet gjithë lutja që ai mund të bëjë dhe gjithë lutja që mund të bëhet për të, që të përmbushen përgjegjësitë jashtëzakonisht të mëdha dhe të arrihet suksesi më i madh e më i vërtetë në punën e tij të madhe.  Predikuesi i vërtetë, krahas kultivimit të frymës dhe faktit të lutjes në vetvete, në formën e tyre më intensive, lakmon me të madhe edhe lutjet e popullit të Perëndisë.
      Sa më i shenjtë të jetë njeriu, aq më shumë e vlerëson ai lutjen; aq më qartë ai e shikon se Perëndia u jepet atyre që luten dhe se masa e zbulimit të Perëndisë ndaj njeriut është në raport të drejtë me lutjen këmbëngulëse dhe kërkuese të tij për Perëndinë. Shpëtimi nuk e gjen kurrë rrugën për në një zemër që nuk lutet.  Fryma e Shenjtë nuk banon kurrë në një frymë që nuk lutet.  Predikimi nuk e ndërton kurrë një njeri që nuk lutet.  Krishti nuk i njeh aspak të krishterët që nuk luten.  Ungjilli nuk mund të shpërndahet prej një predikuesi që nuk lutet.  Dhuntitë, talentet, arsimimi, elokuenca dhe thirrja e Perëndisë nuk mund të pakësojnë nevojën për lutje, por vetëm e intensifikojnë domosdoshmërinë që predikuesi të lutet dhe që për të të luten.  Sa më shumë që sytë e një predikuesi hapen ndaj natyrës, përgjegjësisë dhe vështirësive në punën e tij, aq më shumë do të shohë ai.  Dhe, nëse ai është një predikues i vërtetë, ai do ta ndiejë domosdoshmërinë e lutjes akoma dhe më fuqimisht.  Ai jo vetëm që do të ndiejë nevojën në rritje që kërkon lutjen e tij, por t’u kërkojë edhe të tjerëve ta ndihmojnë me lutjet e tyre.
      Çfarë madhështie shpirti, çfarë motive të larta e të pastra, çfarë vetmohimi, çfarë vetësakrifikimi, çfarë pune rraskapitëse, çfarë entuziazmi frymëror dhe çfarë takti hyjnor kërkohet që të jesh një ndërmjetësues për njerëzit!
      Predikuesi duhet të lutet papushim për popullin e tij – jo që ata thjesht të shpëtohen, por që të shpëtohen fuqimisht.  Apostujt iu dhanë krejtësisht lutjes në mënyrë që të pjekuroheshin besimtarët.  Ata e bënë këtë jo se dëshironin që besimtarët të kishin një shije të dobët të gjërave të Perëndisë, por sepse donin që ata të mbusheshin “me gjithë plotësinë e Perëndisë” (Efes. 3:19).  Pali nuk u mbështet në predikimin e tij apostolik për ta arritur qëllimin e tij.  Për këtë arsye ai i uli gjunjët e tij përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht (Efes. 3:14).  Të luturit e Palit i çoi ata që u kthyen në besim prej tij në rrugën e shenjtërisë akoma më tej nga ç’i kishte çuar predikimi i tij.  Po kaq e mos më shumë se me predikimin e tij bëri edhe Epafri për besimtarët e Kolosit.  Ai luftonte gjithnjë në lutje për ta që ata të mund të qëndronin “të përsosur dhe të mbushur përplot në gjithë vullnetin e Perëndisë” (Kol. 4:12).
      Predikuesit janë në mënyrë të shquar udhëheqës prej Perëndisë.  Ata janë kryesisht të përgjegjshëm për gjendjen e Kishës.  Ata formojnë karakterin e saj, i japin tonin dhe drejtimin jetës së saj.
      Shumë varet nga këta udhëheqës.  Ata formojnë kohërat dhe institucionet.  Kisha është hyjnore; thesaret që ajo përmban janë hyjnore.  Por, ajo mban shenjën e njerëzores.  Thesari është në enë prej balte dhe ka marrë shijen e enës.  Kisha e Perëndisë bën, ose bëhet, prej udhëheqësve të saj.  Në çfarëdo rasti Kisha do të jetë ashtu si janë udhëheqësit e saj: frymërore nëse ata janë të tillë; e paperëndishme nëse ata janë të tillë; konglomerat nëse udhëheqësit e saj janë të tillë.
      Mbretërit e Izraelit ishin ata që ia jepnin karakterin devocionit të Izraelit.  Rrallë ndodh që Kisha të revoltohet apo të ngrihet mbi fenë e udhëheqësve të saj.  Udhëheqësit e fortë frymërorë – njerëzit me fuqi të shenjtë – në krye janë shenjë e favorit të Perëndisë.  Shkatërrimi dhe dobësia pasojnë vazhdën e udhëheqësve të dobët e të paperëndishëm.  Izraeli ra shumë poshtë kur Perëndia bëri që princat e tij të ishin fëmijë dhe kur i dha foshnja që të sundonin mbi të.  Profetët parashikonin palumturi kur fëmijët shtypnin Izraelin e Perëndisë dhe kur armiqtë sundonin mbi të.  Kohët e udhëheqjes frymërore janë kohë begatie të madhe frymërore për Kishën.
      Lutja është një nga karakteristikat që shquan udhëheqjen e fortë frymërore.  Njerëzit e lutjeve të fuqishme janë njerëz të fuqishëm dhe ata që u japin formë gjithë pasojave.  Fuqia e tyre me Perëndinë ka ecjen e fitimtarit.
      Si mund të pritet që të predikojë një njeri që nuk e merr mesazhin e tij të freskët prej Perëndisë në dhomëzën e tij?  Si mund të predikojë ai pa pasur besimin e tij të përtërirë, vizionin e tij të kthjelltësuar dhe zemrën e tij të ngrohur nga lidhja intime me Perëndinë?  Sa keq, për ato buzë në katedër që nuk janë prekur nga ky zjarr i dhomëzës!  Ato do të jenë përgjithmonë të thata dhe pa vajosje.  Të vërtetat hyjnore nuk do të dalin kurrë me fuqi nga buzë të tilla.  Për sa i përket interesave të Krishterimit, katedra pa dhomëzën gjithmonë do të jetë diçka e shterpë.
      Pa lutje, një predikues mund të predikojë në një mënyrë zyrtare, kënaqëse dhe të mbushur plot dije.  Por, një predikim i tillë dhe mbjellja e farës së çmuar të Perëndisë me duar të shenjta dhe zemra që luten e derdhin lotë, janë dy gjëra që janë tepër larg nga njëra-tjetra.
      Pali është një shembull i kësaj.  Nëse do të kishte ndonjë njeri që do të mund ta shpërndante dhe përparonte Ungjillin me anë të forcës personale, me anë të fuqisë së trurit të tij, me anë të kulturës së tij, me anë të hirit të tij përsonal, me anë të detyrës apostolike që kishte marrë prej Perëndisë, thirrjes së jashtëzakonshme prej Perëndisë, ky njeri do të ishte Pali.  Pali është një shembull që na tregon se predikuesi duhet të jetë një njeri që i është dhënë lutjes.  Në mënyrë të shquar Pali na tregon se një predikues i vërtetë apostolik duhet të ketë edhe lutjet e njerëzve të tjerë të mirë që t’i japë shërbimit të tij kuotën e plotë të suksesit.  Ai kërkon, ai lakmon, ai përgjërohet me plot pasion për ndihmën e gjithë besimtarëve të Perëndisë.  Ai e dinte se në fushën frymërore – ashtu si kudo – tek bashkimi qëndronte fuqia. Ai e dinte se përqëndrimi dhe bashkimi i besimit, dëshirës dhe lutjes rrisnin volumin e forcës frymërore deri sa ajo bëhej e jashtëzakonshme dhe e papërballueshme në fuqinë e saj.  Njësitë e kombinuara të lutjes, ashtu si pikat e ujit, bëjnë një oqean që mposht çdo lloj rezistence.  Kështu Pali, me të kuptuarin e tij të plotë dhe të qartë të dinamikave frymërore, duke mbledhur gjithë njësitë e shpërndara të lutjes dhe duke i përqëndruar ato në shërbimin e tij, vendosi ta bëjë shërbesën e tij aq gjurmëlënëse, të përjetshme dhe të papërballueshme sa edhe oqeani.
      Arsyeja për spikatjen e tij në punë dhe rezultate dhe për ndikimin e tij mbi Kishën dhe botën, mund të gjenden në faktin që ai ishte i aftë të përqëndronte lutje ndaj vetes dhe shërbimit të tij më shumë se ç’bënë të tjerët.  Vëllezërve të tij në Romë ai u shkruante: “Dhe ju lutem, o vëllezër, për Zotin tonë Jezu Krisht dhe për dashurinë e Frymës, të luftoni bashkë me mua në lutje te Perëndia për mua” (Rom. 15:30).
      Efesianëve ai u shkruante: “duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lutje dhe përgjërim në Frymë dhe, duke ndenjur zgjuar për këtë me çdo këmbëngulje dhe përgjërim për të gjithë shenjtorët, edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas me guxim për ta bërë të njohur misterin e ungjillit” (Efes. 6:18-19).
      Në letrën dërguar kolosianëve ai theksonte: “Dhe duke u lutur në të njëjtën kohë edhe për ne, që Perëndia të na hapë neve një derë të fjalës, për të folur misterin e Krishtit, për shkakun e të cilit jam edhe i lidhur, në mënyrë që ta bëj të njohur, duke e folur siç duhet” (Kol. 4:3-4).
      Selanikasve ai u thotë prerë, fuqimisht: “Vëllezër, lutuni për ne” (1 Selan. 5:25).  Pali gjithashtu i bën thirrje për ndihmë edhe kishës së Korintit: “me ndihmën tuaj me anë të lutjeve për ne” (2 Kor. 1:11).  Kjo duhej të ishte pjesë e punës së tyre.  Ata duhet t’u jepnin atyre një dorë ndihmëse edhe në lutje.
      Pali në një fjalë shtesë dhe mbyllëse ndaj selanikasve rreth rëndësisë dhe domosdoshmërisë së lutjeve të tyre, thotë: “Së fundi, o vëllezër, lutuni për ne, që fjala e Zotit të rendë dhe të lëvdohet, si dhe ndër ju, dhe të shpëtojmë nga njerëzit e paudhë dhe të ligj, sepse besimi nuk është i të gjithëve” (2 Selan. 3:1-2).
      Ai do që ta ngulisë se gjithë sprovat që ai po përjetonte dhe kundërshtitë që haste mund të ktheheshin në ndihmë për shpërndarjen e Ungjillit me anë të efektshmërisë së lutjeve të tyre për të.  Filemoni duhej të përgatiste një vend për të ku ai të qëndronte, sepse, nëpërmjet lutjes së Filemonit, shohim se Pali do t’i vinte si mysafirë.
      Qëndrimi që Pali ka ndaj kësaj çështjeje tregon përulësinë dhe aftësinë e tij të madhe për të kuptuar forcat frymërore në përhapjen e Ungjillit.  Për më tepër, ai na jep një mësim për të gjitha kohërat – që nëse Pali ishte kaq i varur nga lutjet e besimtarëve të Perëndisë për suksesin e lutjeve të tij, sa më e madhe duhet të jetë atëherë, nevoja që lutjet e besimtarëve të Perëndisë të përqëndrohen në punën e Perëndisë që bëhet në ditët e sotme!
      Pali nuk mendonte aspak se kjo kërkesë urgjente për lutje e ulte dinjitetin e tij, e pakësonte ndikimin e tij apo i ulte vlerat devotshmërisë së tij.  E çfarë pastaj, nëse ajo e bënte këtë?  Le të mos i mbetej dinjitet; le t’i shkatërrohej ndikimi; le t’i prishej reputacioni – ai duhej të kishte mbështetjen e lutjeve të tyre.  Edhe pse ishte i thirrur, i dërguar, kryeapostull, gjithë ç’kishte nuk do të ishin të plotësuara pa lutjet e njerëzve të tij.  Ai dërgoi letra kudo dhe i nxiste duke u shkruar që të luteshin për të.  A lutesh ti për predikuesin tënd?  A lutesh për të në dhomëzën tënde?  Lutjet publike nuk kanë pothuaj aspak vlerë nëse ato nuk janë themeluar apo nuk pasohen nga lutja në intimitet.  Ata që luten janë për predikuesin ashtu si Aaroni dhe Huri ishin për Moisiun.  Ata ngrenë lart duart e tij dhe e fitojnë betejën që po bëhet fuqimisht rreth tyre.
      Përgjërimi dhe qëllimi i apostujve ishte që të nxisnin Kishën në lutje.  Nuk është se ata nuk vlerësonin hirin e të dhënit me gëzim.  Nuk është se ata nuk e dinin vendin që puna dhe veprimtaria zinin në jetën frymërore.  Por, as njëra as edhe të gjitha këto, në vlerësimin që apostujt i bënin për nga domosdoshmëria, nuk mund të krahasohej aspak me domosdoshmërinë dhe rëndësinë që kishte lutja.  Kërkesat më të shenjta dhe më urgjente – thirrjet më të zjarrta – fjalët më të kuptueshme dhe më trazuese u thanë për të përforcuar detyrimin dhe domosdoshmërinë e gjithërëndësishme të lutjes.
      “Vëri besimtarët në lutje kudo” – kjo ishte barra që kishin në zemër gjithë apostujt në përpjekjet e tyre dhe ishte kyçi i suksesit të tyre.  Jezu Krishti u përpoq aq shumë që ta bënte këtë në ditët e shërbesës së Tij personale.  Ndërsa prekej prej dhembshurisë të pakufi që ndiente për të korrat e arrira të fushave që po humbisnin për mungesën e punëtorëve – dhe ndërsa po bënte një pauzë në lutjen e vet – duke u bërë thirrje dishepujve të Tij: “Lutjuni, pra Zotit të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij” (Mat. 9:38), Ai u përpoq të zgjonte tek ata ndjeshmërinë ndaj detyrës së lutjes.  “Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet lutur vazhdimisht pa u ligështuar” (Luka 18:1).
      Devocionet tona nuk maten me orë, por koha qëndron në thelb të tyre.  Aftësia të presësh, të qëndrosh dhe të këmbëngulësh në thelb i përket shoqërisë sonë me Perëndinë.  Nxitimi, që kudo është i panevojshëm dhe i dëmshëm, është shpesh, në një gradë alarmante, një pjesë e punës së madhe të bashkësisë me Perëndinë.  Devocionet e shkurtra janë vdekjeprurëse për përkushtimin e thellë.  Qetësia, të kuptuarit dhe forca nuk janë kurrë shokë të nxitimit.  Devocionet e shkurtra shkatërrojnë fuqinë frymërore, ndalon progresin frymëror, shkatërron themelet frymërore dhe sëmur rrënjën dhe lulëzimin e jetës frymërore.  Ato janë një burim mjaft pjellor për devijim, shenja e devotshmërisë sipërfaqësore; ato mashtrojnë, sëmurin, e kalbëzojnë farën dhe e varfërojnë tokën.
      Është e vërtetë se lutjet e Biblës janë të shkurtra në fjalë dhe në shkrim, por njerëzit që luteshin në Bibël ishin me Perëndinë për shumë orë të ëmbla, të shenjta dhe plot përleshje.  Ata fituan me anë të pak fjalëve por shumë pritjeje.  Lutjet që Moisiu na jep mund të jenë të shkurtra, por ai iu lut Perëndisë me agjërime dhe thirrje të fuqishme për dyzet ditë e net.
      Ajo që na jepet për lutjen e Elisë mund të jetë përmbledhur në pak paragrafe të shkurtra.  Por pa dyshim, Elia, i cili kur “lutej, vërtet lutej”, kalonte orë të tëra në përleshje të zjarrtë dhe bashkësi madhështore me Perëndinë para se të mundej që me guxim e siguri të plotë, t’i thoshte Ahabit: “nuk do të ketë as vesë, as shi gjatë këtyre viteve, veçse me fjalën time” (1 Mbret. 17:1).  Bibla na i jep shkurt lutjet e Palit, por ai lutej shumë ditë e natë (1 Selan. 3:10).
      Lutja e Zotit është një përmbledhje për buzët e një foshnjeje në besim, por Krishti Jezu shpesh lutej për tërë natën para se të flinte.  Dhe, devocionet e Tij të cilat zgjasnin gjatë gjithë natës ishin ato që u jepnin punës së Tij suksesin e përsosmërinë dhe karakterit të Tij plotësinë dhe lavdinë e natyrës hyjnore.
      Puna frymërore është një punë kërkuese dhe njerëzve nuk ua ka qejfi ta bëjnë këtë.  Lutja – të luturit e vërtetë – kërkon një përkushtim vëmendjeje serioze dhe kohe, gjë që mishit e gjakut nuk ia ka kënda.  Të paktë janë ata njerëz që janë aq të fortë sa të vendosin diçka që u kushton shumë, në një kohë kur punë të tjera të pakushtueshme shkojnë mjaft mirë në treg.  Ne mund ta mësojmë veten me lutjen tonë prej lypësi deri sa ajo të na duket si diçka e mirë.  Të paktën ajo ka një fasadë të këndshme dhe na e qetëson ndërgjegjen – më vdekjeprurësja mes tërë opiumeve!  Mund të lëshohemi në lutjen tonë dhe të mos kuptojmë rrezikun deri sa të bëhet dëmi.  Devocionet e nxituara japin besim të dobët, bindje shëndetliga dhe përkushtim që mund të vihet në pikëpyetje.  Të qëndrosh pak ME Perëndinë do të thotë të jesh pak PËR Perëndinë.  Të mpakësh lutjen do të thotë të mpakësh tërë karakterin e krishterë dhe ta bësh atë të mjerë dhe të çrregullt.
      Duhet shumë kohë që plotësia e Perëndisë të rrjedhë nëpër frymën e njeriut.  Devocionet e shkurtra e çajnë dhe këpusin tubin e rrjedhës së plotë të Perëndisë.  Duhet të kalosh kohë në vendin e fshehtë në mënyrë që të marrësh zbulesën e plotë të Perëndisë.  Koha e paktë dhe nxitimi janë ata që e shëmtojnë këtë tablo.
      Henry Martyn, misionari anglez, vajtonte kur shihte që “mungesa e leximit devocional në privaci dhe shkurtësia e lutjes nëpërmjet predikimbërjes së papushuar kishin sjellë kaq shumë largim mes Perëndisë dhe shpirtit tim”.  Ai e kuptonte se i kishte kushtuar kohë së tepërmi shërbesave PUBLIKE dhe shumë pak kohë bashkësisë PRIVATE me Perëndinë.  Atij i bënte përshtypje të madhe domosdoshmëria për të veçuar dhe për t’i kushtuar kohë agjërimit dhe lutjes solemne.  Si rezultat i kësaj ai shkruan: “U ndihmova këtë mëngjes të lutesha për dy orë”.  Aristokrati William Wilberforce thoshte: “Duhet të siguroj më shumë kohë për devocionet private.  Kam jetuar më tepër se ç’duhet në publik.  Shkurtimi i devocioneve private e bën të vuajë urie shpirtin; ai bëhet shëndetlig e i këputur.  Kam qëndruar vonë më tepër se ç’duhet”.  Rreth një dështimi në Parlament ai thotë: “Më lejoni t’u tregoj dëshpërimin dhe turpin tim dhe gjithë kjo ka të ngjarë që të jetë pasojë e shkurtimit të devocioneve private dhe kështu Perëndia më la të pengohem”.  Rrugëzgjidhja e tij gjendej në ngritjen më herët dhe në kalimin e një kohe më të gjatë vetmie.
      Më shumë kohë dhe orë të hershme kushtuar lutjes janë ato që do ta rigjallërojnë dhe fuqizojnë jetën e kalbëzuar frymërore.  Më shumë kohë dhe orë të hershme për lutjen do të manifestohen në jetesë të shenjtë.  Jeta e shenjtë nuk do të jetë një gjë kaq e rrallë dhe e vështirë nëse devocionet tona nuk do të ishin kaq të shkurtra dhe të nxituara.  Një temperament si ai i Krishtit, në aromën e tij të ëmbël dhe të çliruar nga pasionet, nuk do të ishte një trashëgimi kaq e huaj dhe kaq e pashpresë nëse qëndrimi ynë në dhomëzë do të intensifikohej dhe do të zgjatej më shumë.  Bëjmë një jetë mjerane sepse lutjet tona janë mpakur.  Nëse në dhomëzën tonë kalojmë shumë kohë duke u argëtuar do të shohim se jeta jonë do të bëhet përtace dhe do të vërë dhjamë.  Aftësia që kemi për të qëndruar me Perëndinë në dhomëzën tonë lidhet drejtpërsëdrejti me aftësinë tonë për të qëndruar me Të jashtë dhomëzës sonë.  Vizitat e shkurtra që i bëjmë dhomëzës nuk janë gjë tjetër veçse një mashtrim dhe diçka që nuk na plotëson.  Jo vetëm që na mashtrojnë, por me anë të tyre ne humbasim në shumë mënyra nga shumë trashëgimi të pasura.  Pritja në dhomëzë na udhëzon e na sjell fitim.  Me anë të saj ne mësojmë, dhe fitoret më të mëdha janë shpesh pasojë e pritjeve të gjata – pritjeve të tilla deri sa gjithë fjalët dhe planet mbarohen, dhe pritja në heshtje me durim fiton kurorën.  Jezu Krishti theksoi: “Vallë Perëndia nuk do t’u japë të drejtë të zgjedhurve të Tij që bërtasin ditë e natë ndaj Tij?” (Luka 18:7).
      Lutja është gjëja më e madhe që mund të bëjmë; dhe për ta bërë këtë mirë duhet qetësi, kohë dhe qëllimshmëri.  Përndryshe, ajo degradohet në më të pavlerën dhe më të kotën e gjithçkaje që mund të bëjmë.  Një lutje e vërtetë pasohet nga rezultatet më të mëdha, dhe një lutje e mjerë, nga më të voglat.  Për lutjen e vërtetë nuk mund të themi kurrë se kemi bërë më shumë se ç’duhet, dhe nuk mund të themi kurrë se e kemi flakur tej atë që është thjesht një imitacion i varfër i saj.  Duhet të mësojmë që nga fillimi vlerën e lutjes – ta fillojmë nga e para shkollën e lutjes.  Nuk ka gjë tjetër që të kërkojë më shumë kohë për ta mësuar.  Dhe, nëse duam të mësojmë këtë art çudibërës, nuk duhet të jemi të tillë që të ofrojmë fragmente të saj aty-këtu – “Një bisedë të vogël me Jezuin” – siç këndojnë besimtarët vogëlushë.  Por, duhet të kërkojmë dhe të zëmë me një kapje të hekurt orët më të mira të ditës për Perëndinë dhe lutjen, ose ajo që e bëjmë nuk mund të quhet lutje.
      Sidoqoftë, ditët në të cilat jetojmë, nuk janë ditë lutjesh.  Të paktë janë ata që luten.  Lutja përflitet edhe nga predikuesit e priftërinjtë.  Në këto ditë nxitimi dhe përpjekjesh të ethshme, të korrentit dhe avullit, njerëzit nuk kalojnë kohë në lutje.  Ka predikues që i “thonë lutjet” si pjesë e programit të tyre në raste të zakonshme apo shtetërore.  Por, kush lëviz për t'u kapur pas Perëndisë (Isa. 64:7)?  Kush lutet ashtu siç lutej Jakobi – deri sa të kurorëzohet si fitimtar, si një ndërmjetësues princëror?  Kush lutet ashtu siç u lut Elia – derisa gjithë forcat e kyçura të natyrës të çliroheshin dhe toka e goditur prej zisë së bukës të lulëzonte si kopshti i Perëndisë?  Kush lutet siç u lut Jezu Krishti, ndërsa ndodhej atje në mal kur “e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë” (Luka 6:12)?  Apostujt vazhduan t'i kushtoheshin lutjes (Vep. 6:4) – gjëja më e vështirë që t’i bësh njerëzit e madje edhe predikuesit të bëjnë.
      Ka njerëz të zakonshëm që japin paratë – disa prej tyre me mjaft bollëk – por kurrë nuk i jepen lutjes, diçka pa të cilën paraja e tyre është vetëm një mallkim.  Ka shumë predikues që predikojnë e bëjnë fjalime të mëdha e elokuente mbi domosdoshmërinë e rigjallërimit dhe shpërndarjes së mbretërisë së Perëndisë.  Por, ka shumë që e bëjnë këtë pa lutje, gjë që e bën gjithë predikimin dhe organizimin më të keq se kotësia.  Lutja është bërë demode pothuaj një art i humbur.  Mirëbërësi më i madh që kjo epokë mund të ketë është njeriu që do t’i kthejë përsëri në lutje predikuesit dhe Kishën.
      Apostujt mund të shihnin vetëm një shkëndijë të rëndësisë së lutjes para Pentakostit.  Por ardhja dhe mbushja me Frymën në Pentakost e ngriti lutjen në pozitën e saj vitale dhe gjithëkomanduese në Ungjillin e Krishtit.  Tani, thirrja për t’iu dhënë lutjes është thirrja më e fortë dhe më urgjente e Frymës.  Devotshmëria e gjithë shenjtërisë bëhet, pastrohet dhe përsoset me anë të lutjes.  Ungjilli lëviz me hap të ngadalshëm dhe të ndrojtur kur besimtarët nuk qëndrojnë qysh herët, gjatë, e deri vonë në lutje.
      Ku janë ata udhëheqës si Krishti të cilët mund t’i mësojnë besimtarët modernë si të luten dhe t’i bëjnë ata që të luten?  A e dimë se po rrisim një brez besimtarësh jolutës?  Ku janë udhëheqësit apostolikë që mund ta vënë popullin e Perëndisë në lutje?  Le të dalin në ballë dhe të bëjnë punën dhe ajo do të jetë puna më e madhe që mund të bëhet.  Rritja e lehtshmërisë edukative dhe rritja e madhe në të holla do të jetë mallkimi i drejtpërdrejtë i Krishterimit nëse ato nuk shenjtërohen me anë të të luturit më të madhe dhe më të mirë se kjo që po bëjmë.
      Të luturit më shumë nuk do të vijë si diçka e natyrshme.  Fushata për fondet e shekullit të njëzetë apo të tridhjetë ka për ta penguar lutjen tonë nëse nuk tregohemi të kujdesshëm.  Asgjë nuk do të ketë dobi veçse një përpjekje e veçantë nga një udhëheqje lutëse.  Ata që janë në krye duhet të udhëheqin në përpjekjen apostolike për të rrënjosur rëndësinë jetësore dhe REALITETIN e lutjes në zemrën dhe jetën e Kishës. Katedra lutëse do të ketë edhe stola lutës.  Na nevojitet së tepërmi dikush që t’i vërë besimtarët në këtë punë të lutjes.  Ne nuk jemi një brez besimtarësh që luten.  Besimtarët jolutës janë një bandë besimtarësh-lypsa që nuk kanë as zellin, as bukurinë dhe as fuqinë e besimtarëve.  Kush do ta mbushë këtë të çarë?  Ai që do ta vërë Kishën në lutje do të jetë më i madhi nga reformatorët dhe apostujt.
      E japim si gjykimin tonë më të shëndoshë se nevoja më e madhe e Kishës në këtë kohë dhe gjithë kohërat është ajo për njerëz të një besimi komandues, shenjtërie të panjollosur, fuqie të shquar frymërore dhe zelli konsumues.  Lutjet, besimi, jeta dhe shërbimi i tyre do të jetë i një forme kaq radikale dhe agresive sa të kryejë revolucione frymërore me anë të predikimit të Fjalës së Perëndisë dhe, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, të shkaktojë revolucione të cilët të ndryshojnë gjithë rrjedhën e ngjarjeve.  Aftësitë natyrore dhe përparësitë e shkollimit nuk janë faktorë në këtë çështje.  Por, kapaciteti për besim, aftësia për t’u lutur, fuqia e një veçimi të plotë dhe aftësia e përulësisë janë të gjithë faktorë të rëndësishëm.  Kërkohet gjithashtu një humbje absolute e vetes ne lavdinë e Perëndisë dhe një dëshirë e zjarrtë e një kërkesë, gjithmonë prezente dhe e pangopshme për gjithë plotësinë e Perëndisë.  Ne kemi nevojë për njerëz që ta ndezin flakë Kishën për Perëndinë – jo në një mënyrë të zhurmshme, që kërkon të bjerë në sy, por me një nxehtësi të qetë dhe intensive që shkrin e vë në lëvizje gjithçka për Perëndinë.
      Perëndia mund të kryejë mrekulli nëse gjen njeriun e duhur.  Njerëzit mund të bëjnë mrekulli nëse lejojnë Perëndinë t’i drejtojë.  Pajisja e plotë me Frymën e Shenjtë, që ktheu botën me kokë poshtë, është tepër e dobishme për këto ditë të fundit.  Domosdoshmëria universale e Kishës janë njerëz të cilët mund të bëjnë që gjërat të lëvizin fuqishëm për Perëndinë, njerëz, revolucionet frymërore të të cilëve i ndryshojnë gjërat në të gjitha aspektet.
      Kisha kurrë nuk ka qenë pa njerëz të tillë.  Ata zbukurojnë historinë e saj.  Ata përbëjnë mrekullitë e shquara të natyrës hyjnore të Kishës.  Shembulli dhe historia e tyre janë një frymëzim e bekim që kurrë nuk humbet.  Lutja jonë duhet të jetë një lutje për rritjen e numrit dhe fuqisë së tyre.
      Ajo që tashmë është bërë në gjërat frymërore mund të bëhet përsëri dhe të bëhet më mirë.  Kjo ishte edhe pikëpamja e Krishtit.  Ai tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati” (Gjoni 14:12).
      E kaluara nuk i ka harxhuar as mundësitë, as nevojën për të bërë gjëra të mëdha për Perëndinë.  Kisha që është e varur nga e kaluara e saj për mrekullitë e fuqisë dhe hirit është një kishë e rënë.
      Perëndia kërkon njerëz të zgjedhur – për të cilët vetja dhe bota janë kryqëzuar në mënyrë të pamëshirshme.  Falimentimi i tyre e ka rrënuar kaq totalisht veten dhe botën sa nuk ka as shpresë dhe as dëshirë për përtëritje.  Perëndia dëshiron njerëz të tillë që me këtë lloj falimentimi dhe kryqëzimi i janë kthyer Atij me zemra të përkryera.

      Le të lutemi fuqimisht që premtimi i Perëndisë për lutje të jetë një premtim më se i përmbushur.

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.