01 Përçuesi hyjnor i fuqisë


Përçuesi hyjnor i fuqisë



      “Studjo shenjtërinë universale të jetës.  Gjithë të qenët i dobishëm varet nga kjo, sepse predikimet e tua zgjasin vetëm një ose dy orë; jeta jote predikon gjithë javën.  Nëse Satani do të arrijë të të bëjë një punëtor lakmitar, një njeri që kërkon lavdërim, kënaqësi, të ngrëna të mira, atëherë ai ka rrënuar punën tënde.  Jepju lutjes dhe merri vargjet e tua, mendimet e tua, fjalët e tua prej Perëndisë.  Luteri kalonte orët e tij më të mira në lutje”.

Robert Murray McCheyne



      Ne vazhdimisht rropatemi të krijojmë metoda, plane dhe organizata të reja për të bërë që Kisha të përparojë.  Gjithmonë punojmë që të sigurojmë dhe të stimulojmë rritje dhe efektshmëri për Ungjillin.

      Kjo prirje e sotme ka tendencën ta humbasë nga sytë njeriun. Ose me fjalë të tjera, ai humbet në gjithë veprimtarinë sipas planit apo organizimit.  Plani i Perëndisë është që ta përdorë sa më shumë njeriun, ta përdorë atë shumë më tepër sesa ndonjë gjë tjetër.  Njerëzit janë metoda e Perëndisë.

      Kisha po kërkon metoda më të mira; Perëndia po kërkon njerëz më të mirë.  “Qe një njeri i dërguar nga Perëndia, emri i tij ishte Gjon” (Gjoni 1:6).  Koha e caktuar për të lajmëruar dhe për të përgatitur rrugën për Krishtin ishte e lidhur me këtë njeri, Gjonin.  “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë” (Isa. 9:5).  Shpëtimi i botës vjen prej këtij Biri që tundej në djep.

      Kur Pali i bën thirrje karakterit personal të njerëzve që rrënjosën Ungjillin në botë, ai zgjidh misterin e suksesit të tyre.  Lavdia dhe efektshmëria e Ungjillit varen nga njerëzit që e shpallin atë.  Kur Perëndia thotë: “Në të vërtetë sytë e Zotit përshkojnë tërë dheun për të treguar forcën e Tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj Tij” (2 Kron. 16:9), Ai deklaron domosdoshmërinë për njerëz.  Ai pranon se i duhen njerëz që të shërbejnë si përçues, njerëz nëpërmjet të cilëve Ai ta zbatojë fuqinë e Tij në këtë botë.

      Kjo e vërtetë jetësore dhe e domosdoshme është një gjë që kjo epokë e mekanizimit ka prirje ta harrojë.  Harrimi i saj është po aq shkatërrimtar për Fjalën e Perëndisë sa do të ishte të hiqje diellin prej sferës së tij.  Errësira, konfuzioni dhe vdekja do të pasonin.

      Ajo për të cilën Kisha ka nevojë sot nuk është më shumë makineri apo mekanizim më i mirë, as organizata të reja apo metoda të tjera dhe më të reja.  Ajo ka nevojë për njerëz të cilët të përdoren prej Frymës së Shenjtë – njerëz lutjesh, njerëz TË FUQISHËM në lutje.  Fryma e Shenjtë nuk rrjedh përmes metodave, por përmes njerëzve.  Ai nuk vjen mbi makineri, por mbi njerëzit.  Ai nuk vajos plane, por njerëz – njerëz lutjesh!

      Një historian i shquar ka thënë se ndryshimet e karakterit personal kanë të bëjnë shumë me revolucionet e kombeve, më shumë nga ç'mendojnë historian-filozofët apo politikanët demokratë.  Kjo është plotësisht e vërtetë për Ungjillin e Krishtit dhe për karakterin dhe sjelljen e ndjekësve të Krishtit – kristianizoje botën dhe ke për të shndërruar kombet dhe individët.  Kjo është më se e vërtetë të thuhet për predikuesit e Ungjillit.

      Karakteri, ashtu si edhe fati i Ungjillit i jepen në dorë predikuesit.  Ai ose e bën të ketë sukses ose i bën dëm mesazhit që Perëndia ka për njeriun.  Predikuesi është tubi i artë nëpër të cilin rrjedh vaji hyjnor.  Tubi jo vetëm që duhet të jetë i artë, por duhet të jetë i hapur dhe pa cen.  Në këtë mënyrë vaji mund të ketë një rrjedhje të plotë të papenguar dhe pa humbje.

      Njeriu është ai që bën predikuesin.  Perëndia duhet ta bëjë njeriun.  Lajmëtari është, nëse është e mundur, më tepër se lajmi. Predikuesi është më tepër se predikimi.  Predikuesi BËN predikimin.  Ashtu si qumështi jetëdhënës nuk është më tepër se jeta e nënës, kështu edhe gjithë ajo që një predikues THOTË është mbushur e mbarsur prej asaj që predikuesi ËSHTË.  Thesari është në enë balte dhe kjo mund të bëjë që materiali i enës të depërtojë dhe të zvetënitë shkëlqimin e thesarit.  Prapa predikimit qëndron njeriu – njeriu në tërësinë e tij.  Predikimi nuk është shfaqja e një ore.  Ai është rrjedha e një jete.  Duhen njëzet vjet të bësh një predikim sepse duhen njëzet vjet të formosh një njeri.  Predikimi i vërtetë është gjë e jetës.  Predikimi rritet sepse njeriu rritet.  Predikimi është i fuqishëm sepse njeriu është i fuqishëm.  Predikimi është i shenjtë sepse njeriu është i shenjtë.  Predikimi është plot me frymëzim hyjnor sepse njeriu vetë është vajosur me vajin hyjnor.

      Pali e quajti atë “Ungjilli im”.  Nuk ishte se ai e kishte ndotur atë me eksentricitetet e tij apo me interpretimin e tij egoist.  Por, Ungjilli ishte futur në zemrën dhe në gjakun e Palit si një besim personal që duhej të kryhej prej tipareve të tij pauline – të ndizej flakë dhe të fuqizohej me energji të zjarrtë nga shpirti i tij i zjarrtë.  Predikimet e Palit – çfarë ishin ato?  Ku janë ato?  Skelete, fragmente të shpërndara që pluskojnë në detin e frymëzimit!  Por njeriu, Pali – më i madh se predikimet e tij – jeton përjetë, në formën, tiparet dhe shtatin e plotë, me dorën e tij mbrujtëse mbi Kishën.  Predikuesi është vetëm një zë.  Zëri në qetësi vdes; teksti harrohet; predikimi zvetënitet nga kujtesa; por predikuesi jeton.

      Në forcën e tij jetëdhënëse, predikimi nuk mund të ngrihet mbi njeriun.  Të vdekurit japin predikime të vdekura dhe predikimet e vdekura vrasin.  Gjithçka varet në karakterin frymëror të predikuesit.  Në kohën kur Perëndia veproi nëpërmjet judaizmit, kryeprifti mbante mbi ballë fjalët “Shenjtëri ndaj Zotit” të shkruara me gurë të çmuar mbi një pllakëzë ari.  Kështu edhe çdo predikues në shërbimin e Krishtit duhet të jetë mbrujtur dhe formuar me anë të po kësaj motoje të shenjtë.  Është turp që shërbesa e krishterë ka më pak shenjtëri në karakter dhe në qëllim nga ç'kishte priftëria e judenjve.  Jonathan Edwards, predikuesi me famë ka thënë: “Unë vazhdoja në ndjekjen time të zellshme për më shumë shenjtëri dhe më tepër konformim ndaj Krishtit.  Qielli të cilin dëshiroja ishte një qiell shenjtërie”.

      Ungjilli i Krishtit nuk lëviz me valën e popullaritetit.  Ai nuk ka ndonjë fuqi vetëpërhapëse.  Ai lëviz ashtu si lëvizin ata që janë përgjegjës për të.  Predikuesi duhet ta jetojë Ungjillin.  Tiparet e tij hyjnore dhe më të shquara duhet të trupëzohen në njeriun.  Fuqia detyruese e dashurisë duhet të gjendet në predikuesin si një forcë e shquar, e jashtëzakonshme, gjithëurdhëruese dhe vetëharruese.  Energjia e vetëmohimit duhet të jetë qenia e tij – zemra, gjaku dhe kockat e tij.  Ai duhet të ecë si një burrë mes burrave, i veshur me përulësi, duke qëndruar në butësi, i urtë si një gjarpër dhe i padëmshëm si një pëllumb.  Ai duhet të ndiejë detyrimin e një skllavi, por të ketë shpirtin e një mbreti dhe thjeshtësinë e ëmbëlsinë e një fëmije.

      Predikuesi duhet t'i futet punës së tij për shpëtimin e njerëzve duke iu dhënë asaj me një besim të përkryer e vetëmohues dhe me një zell vetëkonsumues.  Ata që e marrin dhe i japin formën një brezi për Perëndinë duhet të jenë me zemër, heroikë, të dhembshur dhe martirë të patrembur.  Nëse ata janë njerëz të druajtur që e kanë barrë këtë punë, njerëz që kërkojnë pozitën, që kërkojnë të kënaqin njerëzit dhe ua kanë frikën atyre, nëse besimi i tyre në Perëndi apo Fjalën e Tij është i dobët dhe nëse mohimi i tyre mund të thyhet nga një frazë çfarëdo e vetes apo e botës, ata nuk mund ta fitojnë Kishën apo botën për Perëndinë.

      Predikimi më i fortë dhe më i mprehtë i një predikuesi duhet të jetë predikimi ndaj vetes së tij.  Puna e tij më e vështirë, delikate e mundimshme dhe rrënjësore duhet të jetë me veten e tij.  Përgatitja e të dymbëdhjetëve ishte puna e madhe, e vështirë dhe plot durim që pati Krishti.  Predikuesit nuk janë ata që bëjnë predikimet, por ata që bëjnë njerëzit dhe besimtarët.  Vetëm ai që e ka bërë veten njeri dhe besimtar, vetëm ai është i përgatitur mirë për këtë punë.  Perëndisë nuk i duhen talente të mëdha, dije të mëdha, apo predikues të mëdhenj, por njerëz të mëdhenj në shenjtëri, të mëdhenj në besim, të mëdhenj në dashuri, të mëdhenj në besnikëri, të mëdhenj për Perëndinë.  Atij i duhen njerëz që gjithmonë japin predikime të shenjta nga katedra dhe i zbatojnë ato në një jetë të shenjtë.  Këta janë ata që mund të formojnë një brez të madh për Perëndinë.

      Në këtë mënyrë, u formuan të krishterët e hershëm.  Ata ishin njerëz të një derdhjeje solide, predikues të tipit hyjnor – heroikë, të palëkundur, luftëtarë, shenjtorë.  Për ta predikim do të thoshte mohim i vetes, kryqëzim i vetes, një punë serioze, e mundimshme, punë martirësh.  Ata iu dhanë kësaj pune në një mënyrë që pati ndikim në brezin e tyre dhe formoi në mitrën e tij një brez akoma të palindur për Perëndinë.  Njeriu i predikimeve duhet të jetë një njeri lutjesh.  Lutja është arma më e fuqishme e një predikuesi.  Si një forcë e gjithfuqishme në vetvete, ajo u jep të gjithëve jetë dhe fuqi.

      Predikimi i vërtetë del prej dhomëzës.  Njeriu – njeriu i Perëndisë – bëhet atje në atë dhomëzë.  Jeta e tij dhe bindjet e tij më të thella lindin në lidhjen e tij intime me Perëndinë.  Agonia e ngarkuar e lotplotë e frymës së tij, mesazhet e tij më të ëmbla dhe më me peshë i jepen në kohën kur është vetëmpërvetëm me Perëndinë.  Lutja e bën njeriun; lutja e bën predikuesin; lutja e bën pastorin.

      Katedra e ditëve të sotme është e dobët në lutje.  Krenaria e diturisë është në kundërshtim me përulësinë e lutjes.  Kaq e kaq herë lutjet nga katedra janë vetëm lutje plot zyrtarizëm – një shfaqje për rutinën e shërbesës.  Në katedrën moderne, lutja nuk është më ajo forcë e fuqishme që shohim në jetën apo punën e Palit.  Çdo predikues i cili nuk e bën lutjen një faktor të fuqishëm në jetën dhe punën e tij është i dobët si një faktor në punën e Perëndisë dhe është i pafuqishëm për të bërë që kauza e Perëndisë të përparojë në këtë botë.

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.