Ushtrimi më fisnik i njeriut
“Gjatë kësaj sëmundjeje e shqyrtova jetën time në
lidhje me përjetësinë më nga afër se ç'e kisha shqyrtuar kur gëzoja shëndet. Në shqyrtimin që bëra në lidhje me kryerjen e
detyrave të mia si një njeri ndaj njerëzve të tjerë, si një shërbëtor i
krishterë dhe si një punëtor i Kishës, qëndroja i aprovuar prej ndërgjegjes
sime. Por në lidhje me Shpenguesin dhe
Shpëtimtarin tim, rezultati ndryshonte. Bindja
në dashuri dhe mirënjohja që kisha treguar as që mund të krahasoheshin me
detyrimet që kisha për shpengimin, këmbënguljen dhe mbështetjen time përmes
peripecive të jetës që nga foshnjëria deri në pleqëri. Ftohtësia e dashurisë sime ndaj Atij që më
deshi më parë dhe që kishte bërë kaq shumë për mua më mbetej në mendje dhe më
bënte të turbullohesha. Dhe, si për të
plotësuar karakterin tim të pavlerë, jo vetëm që kisha neglizhuar të
përmirësoja hirin që më ishte dhënë deri në detyrën dhe privilegjin tim, por
për mungesë të këtij përmirësimi, ndërkohë që isha zhytur në përkujdesjet dhe
punën hutuese, kisha devijuar nga dashuria e zelli i parë. U turbullova, e përula veten, u përgjërova për
mëshirë dhe e përtërita besëlidhjen time për të luftuar dhe për t'ia kushtuar
veten pa rezerva Zotit”.
Peshkopi McKendree
Predikimi që vret mund të jetë, dhe shpesh është,
ortodoks – dogmatikisht dhe në mënyrë të pakundërshtueshme ortodoks. Na pëlqen ortodoksia. Ajo është e mirë. Është më e mira. Është mësimi i pastër dhe në vija të qarta i
Fjalës së Perëndisë. Ajo përbën trofetë
e fituara prej së vërtetës në konflikt me të pavërtetën. Përbën pritat që besimi ka ngritur kundër
përmbytjeve shkretuese të besimit të gabuar apo mosbesimit në ndershmërinë apo
në paskrupullsinë e tyre. Por,
ortodoksia, e kthjellët dhe e fortë si kristali, e dyshimtë dhe militante, mund të mos jetë asgjë tjetër veçse shkronja, e
mirëformuar, e mirëemëruar dhe e mirëmësuar – shkronja që vret. Asgjë nuk është aq e vdekur sa një ortodoksi e
vdekur – aq e vdekur sa nuk mund të spekullosh, aq e vdekur sa nuk mund të
mendosh, studjosh apo lutesh.
Predikimi që
vret mund të ketë aftësi depërtuese dhe kuptueshmëri të parimit. Ajo mund të jetë shkencore dhe kritike në
shije. Ajo mund të jetë e rrjedhshme në
të gjithë detajet e vogla të prejardhjes dhe gramatikës së shkronjës. Ajo mund të jetë e aftë t’i japë shkronjës
shprehjen më të përsosur dhe mund ta ndriçojë atë ashtu siç mund të kenë bërë
Platoni dhe Ciceroni. Ajo mund të
studjojë shkronjën ashtu si një gjykatës studion tekstet e tij për të formuar
aktin e tij apo për të mbrojtur çështjen e tij. Dhe prapëseprapë ajo mund të jetë si një
ngricë, si një ngricë vrasëse. Shkronjë-predikimi
mund të jetë elokuent, i zbukuruar me poezi dhe retorikë, i spërkatur me lutje,
i mbushur me erëzat e sensacionit, i ndriçuar prej gjenisë dhe megjithatë këto
mund të jenë arkivoli, zbukurimet e shtrenjta – lulet e rralla dhe të bukura – që
mbulojnë kufomën.
Predikimi që
vret mund të jetë pa dituri, ai mund të mos shquhet nga ndonjë freski mendimi
apo ndjenjash, e veshur me përgjithësime pa shije apo me veçanti të mërzitshme.
Ajo mund të jetë e çrregullt, që nuk bie
aspak erë dhomëzë apo studim, që nuk ka as hirin e mendimit, as të shprehjes
dhe as të lutjes. Nën këtë predikim, sa
i madh dhe i gjërë është shkretimi! Sa e
plotë vdekja frymërore!
Ky
shkronjë-predikim merret me sipërfaqen dhe hijen e gjërave, jo me vetë gjërat. Ajo nuk depërton deri në brendësi. Ajo nuk ka depërtim të thellë, as kuptueshmëri
të mirë të jetës së fshehur të Fjalës së Perëndisë. Ajo është e vërtetë për të jashtmen. Por, e jashtmja është guacka që duhet thyer
për të marrë thelbin. Shkronja mund të
vishet në mënyrë të tillë që të tërheqë vëmendje dhe të jetë e modës, por
tërheqja nuk është ndaj Perëndisë dhe as moda nuk është për në qiell.
Dështimi
qëndron në predikuesin. Atë nuk e ka
bërë Perëndia. Ai nuk ka qenë kurrë në
duart e Perëndisë si balta në duart e poçarit. Ai ka qenë i zënë duke punuar me predikimin,
me mendimet dhe stolisjen e tij, me forcat e tij tërheqëse dhe mbresëlënëse. Por, gjërat e thella të Perëndisë nuk janë
kërkuar, as studjuar, kuptuar apo përjetuar kurrë prej tij. Ai nuk ka qëndruar kurrë para fronit “të
ngritur dhe të lartë” (Isa. 6:1). Ai nuk e ka dëgjuar kurrë këngën e serafimëve,
nuk e ka parë vizionin dhe as e ka ndjerë forcën e asaj shenjtërie mahnitëse. Ai nuk ka këlthitur kurrë në dëshpërimin dhe
gjendjen e tij të pandihmë nën ndikimin e dobësisë dhe fajit. Ai nuk e ka parë kurrë jetën e tij të
përtërirë, zemrën e tij të prekur, të pastruar dhe të ndezur flakë prej urëve
të ndezura nga altari i Perëndisë.
Puna e tij
mund t’i tërheqë njerëzit ndaj tij, ndaj kishës dhe ndaj formës e ceremonisë. Por, nuk do të ketë asnjë tërheqje të vërtetë
ndaj Perëndisë, nuk do t’i jepet shtysë asnjë bashkësie të ëmbël, të shenjtë
dhe hyjnore. Kisha është stolisur, por
nuk është ndërtuar. Ai ka kënaqur, por
jo shenjtëruar. Jeta është ndrydhur. Qyteti i Perëndisë sonë bëhet qyteti i të
vdekurve – Kisha një varrezë, jo një ushtri e fortifikuar. Lavdërimit dhe lutjes iu zihet fryma; adhurimi
është i vdekur. Predikuesi dhe predikimi
kanë ndihmuar mëkatin, jo shenjtërinë. Ata
kanë populluar skëterrën dhe jo qiellin.
Predikimi që
vret është predikim pa lutje. Pa lutje,
predikuesi krijon vdekje dhe jo jetë. Predikuesi
që është i dobët në lutje është i dobët në forcat jetëdhënëse. Predikuesi që është larguar prej lutjes si
element i dukshëm dhe tepër mbizotërues i karakterit të tij e ka zhveshur
predikimin e tij nga fuqia e tij dalluese dhe jetëdhënëse. Ka dhe do të ketë lutje profesionale, por
lutja profesionale e ndihmon predikimin të bëjë punën e tij vdekjeprurëse. Lutja profesionale ftoh dhe vret si predikimin
ashtu edhe lutjen.
Shumë nga
përkushtimi i lëshuar dhe qëndrimet dembele dhe pa respekt në lutjet
kongregacionale janë diçka që i atribuohet lutjes profesionale në katedër. Lutjet në shumë katedra janë të gjata, të
shpërndara, të thata dhe të zbrazëta. Pa
vajosje dhe pa zemër, ato bien si një ngricë vrasëse mbi të gjitha hiret e
adhurimit. Ato janë lutje
vdekjeshkaktuese. Nën frymën e tyre
është zhdukur çdo gjurmë përkushtimi. Sa
më të vdekura që janë ato aq më të gjata bëhen.
Me vend
është një thirrje për lutje të shkurtra, lutje të gjalla, lutje me gjithë
zemër, lutje në Frymën e Shenjtë – të drejtpërdrejta, specifike, të zjarrta, të
thjeshta, të vajosura në katedër. Një
shkollë që të mësojë predikuesit si të luten, ashtu si Perëndia e do lutjen,
për devocionin e vërtetë, adhurimin e vërtetë dhe predikimin e vërtetë do të
ishte më e dobishme se gjithë shkollat teologjike.
Ndaluni! Pushoni! Gjykoni! Ku jemi? Çfarë po bëjmë? Predikojmë për të vrarë? Lutemi për të vrarë? I lutemi Perëndisë! Perëndisë së madh, Krijuesit të gjithë botëve,
Gjykatësit të gjithë njerëzve! Çfarë të
vertete që kërkohet në brendësi! Sa
realë që duhet të jemi! Sa me zemër! Lutja ndaj Perëndisë: ushtrimi më fisnik,
përpjekja më e lartë e njeriut, gjëja më reale! Gjithmonë do të flakim tej predikimin dhe
lutjen e mallkuar që vrasin dhe do të bëjmë atë që është e vërtetë. Predikimi jetëkrijues sjell forcën më të
fuqishme që ndikon në qiell dhe tokë. Ai
tërheq drejt thesarit të hapur dhe të pambarim të Perëndisë për nevojën dhe
lypësinë e njeriut.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.