Duke i folur Perëndisë për
njerëzit
“Le ta shohim shpesh
Brainerdin, një misionar amerikan mes vendasve indianë, në pyjet e Amerikës, që
derdhte gjithë shpirtin e tij para Perëndisë për paganët që po humbisnin dhe që
pa shpëtimin e të cilëve asgjë nuk mund ta bënte të lumtur. Lutja – e fshehtë, e zjarrtë, lutja me besim –
qëndron në rrënjë të gjithë perëndishmërisë personale. Një njohje me kompetencë e gjuhës së vendit ku
jeton një misionar, një natyrë e butë dhe fituese, një zemër e dhënë ndaj
Perëndisë në një besim në lidhje të ngushtë – këto, këto janë arritjet të
cilat, më shumë se gjithë njohuria apo gjithë dhuntitë e tjera, do të na bëjnë
të aftë që të bëhemi instrumente të Perëndisë në punën e madhe të shpengimit të
njerëzve”.
Vëllazëria e Carey-it
Serampore, India
Në shërbimin ndaj Perëndisë ka dy tendenca ekstreme. Njëra është tendenca për të qëndruar jashtë
shoqërisë me njerëzit. Murgu dhe asketi
janë shembuj të kësaj tendence. Ata
qëndrojnë larg shoqërisë me njerëzit në mënyrë që të jenë më shumë me
Perëndinë. Sigurisht që ata kanë
dështuar. Të qenët tonë me Perëndinë ka
dobi vetëm kur ne i shpenzojmë përfitimet e tij të paçmuara ndaj njerëzve.
Shpesh
udhëheqësit e krishterë mbyllen në studimet e tyre dhe bëhen studjues – krimba
librash, ekspertë të Biblës dhe predikimbërës. Ata dallohen për literaturë, mendim dhe
predikime; por ç’ndodh me njerëzit dhe me Perëndinë, ku janë ata? Larg zemrës, larg mendjes. Predikuesit që janë mendimtarë të mëdhenj,
studjues të mëdhenj, duhet të jenë më të mëdhenjtë e lutësve. Nëse nuk janë të tillë, ata do të jenë
devijuesit më të mëdhenj, profesionistë pa zemër, racionalistë, më të fundit
ndër predikuesit e fundit sipas vlerësimit të Perëndisë.
Tendenca tjetër
është ta popullarizosh krejtësisht punën. Ajo nuk është më e Perëndisë, por diçka që ka
të bëjë me punëra të ndryshme, një punë njerëzish. Punëtori nuk lutet pasi misioni i tij është
ndaj njerëzve. Nëse ai arrin të prekë
njerëzit, të krijojë një sensacion në favor të fesë dhe një interes për punën e
kishës – ai është i kënaqur. Marrëdhënia
e tij personale me Perëndinë nuk është një faktor në punën e tij. Lutja ka pak ose aspak vend në planet e tij. Katastrofa dhe rrënimi i një pune të tillë nuk
mund të llogaritet prej matematikës tokësore. Ashtu si është predikuesi në lutje ndaj
Perëndisë – për vetveten, për njerëzit e tij – ashtu do të jetë edhe fuqia e
tij për të mirën e vërtetë të njerëzve, frytshmëria e tij e vërtetë dhe
besnikëria e tij e vërtetë ndaj Perëndisë – për kohën dhe për përjetësinë.
Është e
pamundur që predikuesi të mbajë frymën e tij në harmoni me natyrën hyjnore të
thirrjes së tij të lartë pa lutje të shumta dhe të vazhdueshme. Është një gabim serioz të mendohet se
predikuesi, me anë të ndjenjës së detyrës dhe stërmundimit për besnikëri ndaj
punës dhe rutinës së shërbesës, mund ta mbajë veten në formë dhe gjendje të
shëndoshë për thirrjen e tij të lartë. Madje
edhe të bërët e predikimeve – në mënyrë të pandërprerë dhe në stërmundim, si
një art, si një detyrë, si një punë apo si një kënaqësi – do ta gllabërojë dhe
do ta largojë zemrën prej Perëndisë duke lënë pas dore lutjen. Shkencëtari e humbet Perëndinë në natyrë. Predikuesi mund ta humbasë Perëndinë në
predikimin e tij.
Lutja
freskon zemrën e predikuesit, e mban atë në intonim me Perëndinë dhe në
dhembshurinë ndaj njerëzve. Ajo e ngre
shërbesën e tij dhe e nxjerr prej ftohtësisë së profesionit, rigjallëron
rutinën dhe vë në lëvizje çdo rrotë me lehtësinë dhe fuqinë e një vajosjeje
hyjnore.
Z. Spurgeon
thotë: “Sigurisht që predikuesi është mbi gjithçka tjetër një njeri i shquar
lutjesh. Ai lutet si një i krishterë i
zakonshëm, përndryshe ai do të ishte hipokrit. Ai lutet më tepër se një i krishterë i
zakonshëm, përndryshe ai do të skualifikohej për detyrën që kishte ndërmarrë. Nëse ju si shërbëtorë nuk jeni lutës të
mëdhenj, jeni për të ardhur keq. Nëse
bëheni të shkujdesur në përkushtimin e shenjtë, jo vetëm që do të jeni për t'u
mëshiruar por edhe njerëzit tuaj gjithashtu, dhe po afron dita kur do të dilni
të turpëruar dhe do të jeni të turbulluar. Të gjitha libraritë dhe studimet tona janë
gjëra boshe krahasuar me dhomëzat tona. Sezonet
tona të agjërimit dhe lutjes në kishën tonë kanë qenë ditë të mëdha vërtet;
kurrë porta e qiellit nuk ka qenë më e hapur; kurrë zemrat tona nuk kanë qenë
më afër lavdisë qendrore”.
Të luturit
që e bën një punë lutjeplotë nuk është të luturit thatanik që i shtohet asaj
vetëm si diçka për aromë për t'i dhënë asaj një shije të kënaqshme. Por, të luturit duhet të jetë në trup, në
formë, në gjak dhe në kocka. Lutja nuk
është një detyrë e parëndësishme që mund të lihet mënjanë në një qoshe. Ajo nuk është një veprimtari copë-copë e
përbërë nga fragmente kohe që janë shkëputur prej biznesit apo punërave të
tjera të jetës. Pjesa më e mirë e kohës,
zemra e kohës dhe forcës sonë duhet t'i jepen lutjes. Kjo nuk do të thotë që dhomëza të absorbohet
në studim apo të gllabërohet prej aktiviteteve të detyrave të punëtorit të
Perëndisë. Por, do të thotë që dhomëza
të jetë e para, studimi dhe aktivitetet të dytat. Në këtë mënyrë, si studimi ashtu edhe
aktivitetet freskohen dhe bëhen më të efektshme prej dhomëzës.
Lutja që
ndikon në shërbesën e një njeriu duhet ta prekë edhe jetën e tij. Lutja që i jep ngjyrë karakterit dhe e thyen
atë nuk është diçka e këndshme, një kohë e kaluar nxitimthi. Ajo duhet të ndjehet aq fuqishëm në zemër dhe
në jetë sa ç’e ndjeu edhe Krishti që ofroi lutje “me klithma të forta e me lot”
(Heb. 5:7). Ajo duhet ta tërheqë frymën
në një agoni dëshire ashtu si Pali. Ajo
duhet të jetë një zjarr dhe një forcë e brendshme si lutja “me gjithë zemër” e
Elisë (Jak. 5:16). Të luturit duhet të
jetë i një cilësie të tillë që, kur të vihet në temjanicën e artë dhe të
ofrohet si flijim erëmirë para Perëndisë, të kryejë luftra dhe revolucione të
fuqishme frymërore.
Lutja nuk
është një zakon i vogël që na është kapur me një karficë ndërsa mbaheshim pas
mësallës së mamasë sonë. Nuk është ajo
as edhe një çerek minute e vogël dhe e hijshme lutjeje e thënë para një dreke
një orëshe. Por, ajo është puna më
serioze e viteve tona më serioze. Ajo
kërkon më tepër kohë dhe më tepër oreks sesa të ngrënat tona më të gjata apo
festimet tona më të mëdha. Lutja që bën
shumicën e predikimit tonë kërkon për vete një shumicë gjërash. Karakteri i të
luturit tonë do të vendosë karakterin e të predikuarit tonë. Lutja e lehtë do të japë një predikim të
lehtë. Lutja e bën predikimin e fortë, i
jep atij vajosjen dhe e bën atë të ngjitë. Në çdo shërbim që kryhet në mënyrë të drejtë
për të mirë, lutja ka qenë gjithmonë një punë serioze.
Predikuesi
duhet të jetë së pari një njeri lutjesh. Në shkollën e lutjes, vetëm zemra mund të
mësojë të predikojë. Nuk ka mësim që të
kompensojë lutjen. Nuk ka gatishmëri,
nuk ka zell, nuk ka studim, nuk ka dhunti që të plotësojë mungesën e saj.
T’u flasësh
njerëzve për Perëndinë është një gjë e madhe, por t’i flasësh Perëndisë për
njerëzit është akoma më e madhe. Ai që
nuk ka mësuar mirë se si t’i flasë Perëndisë për njerëzit, nuk do t’u flasë
kurrë mirë – me sukses të vërtetë – njerëzve për Perëndinë. Për më tepër, fjalët pa pikë lutje, si në
katedër ashtu edhe jashtë saj janë vdekjeshkaktuese.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.