Shembulli i apostujve
“Më jepni njëqind predikues që nuk i tremben asgjëje
veç mëkatit dhe që nuk dëshirojnë asgjë tjetër veç Perëndisë dhe nuk do të dua
t’ia di fare nëse janë të shuguruar apo jo; vetëm të tillë njerëz mund t’i
shkundin portat e skëterrës dhe ta ngrenë mbretërinë e qiellit mbi tokë. Perëndia nuk vepron ndryshe, veçse në
përgjigje të lutjes”.
John Wesley
Apostujt e dinin domosdoshmërinë dhe vlerën e lutjes
për shërbimin e tyre. Ata e dinin se
misioni i tyre i lartë si apostuj – në vend që t’i çlironte nga domosdoshmëria
e lutjes – i lidhte ata pas saj me një domosdoshmëri urgjence. Ata bëheshin jashtëzakonisht ziliqarë kur
ndonjë punë tjetër e rëndësishme u merrte kohë dhe i pengonte të luteshin ashtu
si duhej. Si pasojë ata caktuan njerëz
të thjeshtë të merreshin me detyrat delikate dhe të mëdha të shërbesës ndaj të
varfërve, në mënyrë që ata (apostujt) të mund t’i kushtoheshin pa pengesa
“lutjes dhe shërbesës së fjalës” (Vep. 6:4). Lutja vihet e para dhe qëndrimi i tyre ndaj
lutje theksohet akoma më fuqimisht – “do të qëndrojmë duke iu kushtuar lutjes”.
Për ta është puna e tyre t’i nënshtrohen
lutjes, ta bëjnë atë me zell, me ngulm, me këmbëngulje dhe duke i kushtuar
kohën e duhur.
Sa të
përkushtuar që ishin këta apostuj të shenjtë ndaj punës hyjnore të lutjes! “Duke u lutur tej mase shumë, natë e ditë” –
thotë Pali. “Ne do të vazhdojmë t’i
kushtohemi lutjes” – është konsensusi i përkushtimit apostolik.
Si iu përkushtuan lutjes për popullin e Perëndisë këta
predikues në Dhiatën e Re! Si e fusnin
ata fuqimisht Perëndinë, me anë të lutjes, në kishat e tyre! Këta apostuj të shenjtë nuk mendonin me
mburrje se i kishin plotësuar detyrat e tyre të larta e solemne duke shpallur
me besnikëri Fjalën e Perëndisë. Por,
predikimi i tyre bëhej i efektshëm dhe i qëndrueshëm nëpërmjet zellit dhe
këmbënguljes së lutjes së tyre.
Lutja apostolike
ishte po aq kërkuese, e mundimshme dhe jetësore sa edhe predikimi apostolik. Ata u lutën fuqimisht, ditë e natë, që t’i
sillnin njerëzit në zonat më të larta të besimit dhe shenjtërisë. Ata u lutën akoma edhe më fuqimisht që t’i
mbanin ata në këtë lartësi të madhe frymërore. Predikuesi që kurrë nuk e ka mësuar në
shkollën e Krishtit artin e madh dhe hyjnor të ndërmjetësimit për njerëzit e
tij, nuk do ta mësojë kurrë artin e predikimit. Sikur ta ketë mësuar me tonelata të tëra
homiletikën, dhe sikur ta gjenin dhe talentin më të madh në të bërit e
predikimeve apo të predikuarit e tyre, ai nuk ka për të predikuar kurrë si
apostujt nëse nuk lutet siç u lutën ata.
Lutjet e
udhëheqësve të tillë apostolikë e të shenjtë kanë të bëjnë shumë në kthimin në
besimtarë të atyre që nuk janë apostuj. Nëse
krerët e kishës në këto vitet e fundit do të ishin aq të përkushtuar dhe aq të
zellshëm në lutje për njerëzit e tyre sa edhe apostujt, kohët e trishtueshme
dhe të errëta të apostazisë dhe paperëndishmërisë nuk do ta kishin
shpërfytyruar kështu historinë e botës dhe nuk do ta kishin ndalur kështu
përparimin e Kishës. Lutja apostolike i
bën besimtarët apostolikë dhe bën që në kishë të ruhen kohërat e pastërtisë dhe
fuqisë apostolike.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.