Si të kesh sukses për Perëndinë
“Ti e di vlerën e lutjes: ajo
është e vyer tej çdo vlere. Kurrë, kurrë
mos e lër atë pas dore”.
Sër Thomas Buxton
“Lutja është gjëja e parë,
gjëja e dytë, gjëja e tretë e domosdoshme për një shërbëtor të Perëndisë. Lutu, atëherë, vëllai im i dashur; lutu, lutu,
lutu”.
Edward Payson
Lutja, në jetën, studimin dhe katedrën e predikuesit,
duhet të jetë një forcë e dukshme e gjithëmbrujtëse dhe një përbërës
gjithëngjyrues. Ajo nuk duhet të luajë
një rol dytësor, nuk duhet të jetë thjesht një mbulesë. Predikuesit i bëhet thirrje të jetë me Zotin e
tij “gjithë natën në lutje”. Në mënyrë që të përgatisë veten në lutje
vetëmohuese, atij i kërkohet të shohë drejt Mjeshtrit të tij, i cili, “u ngrit,
doli dhe shkoi në një vend të vetmuar dhe atje u lut” (Marku 1:35).
Studimi i
një predikuesi duhet të jetë një dhomëzë, një Bethel, një altar, një vizion dhe
një shkallë, në mënyrë që çdo mendim të mund të ngjitet drejt qiellit para se
të shkojë drejt njerëzve. Po kështu, çdo
pjesë e predikimit duhet të marrë erën e qiellit dhe të bëhet serioz, sepse në
studim ishte Perëndia.
Ashtu si
motori me avull nuk lëviz kurrë pa u ndezur më parë zjarri, kështu edhe
predikimi – me gjithë makinerinë, përsosmërinë e shkëlqimin e tij – është i
heshtur dhe i palëvizur frymërisht, për sa kohë që lutja nuk ka ndezur zjarrin
dhe nuk ka krijuar avullin. Përbërja,
finesa dhe forca e predikimit janë asgjë nëse në të, nëpërmjet tij dhe prapa
tij nuk shohim impulsin e fuqishëm të lutjes. Predikuesi duhet që, me anë të lutjes, të
vendosë Perëndinë në predikimin e tij. Predikuesi
duhet që, me anë të lutjes, të çojë Perëndinë drejt njerëzve para se të mund të
çojë njerëzit te Perëndia me anë të fjalëve të tij. Predikuesi duhet të qëndrojë në praninë e
Perëndisë dhe të jetë i lidhur me Perëndinë para se të mund të ketë lidhje me
njerëzit. Një rrugë e hapur për te
Perëndia për predikuesin është garancia më e sigurt e një rruge të hapur për te
njerëzit.
Është e
domosdoshme që të përsëritet dhe të ripërsëritet se lutja që është thjesht një
zakon, që kryhet si diçka e rutinës apo në një mënyrë profesionale, është një
gjë e vdekur dhe e kalbur. Një lutje e
tillë nuk ka asnjë lidhje me lutjen që kërkojmë. Ne theksojmë lutjen e vërtetë, që përfshin dhe
ndez flakë çdo element të lartë të qenies së predikuesit. Ne theksojmë lutjen që lind nga të qenët një
me Krishtin në plotësinë e Frymës së Shenjtë, lutjen që zë fill prej burimeve
të thella dhe të bollshme të dhembshurisë së Tij plot butësi.
Ne kërkojmë
lutjen që përbëhet prej shqetësimit të pavdekshëm për të mirën e përjetshme të
njeriut dhe prej zellit konsumues për lavdinë e Perëndisë. Predikuesi duhet të ketë patjetër një bindje
të plotë se puna e tij është një punë e vështirë dhe delikate dhe se ndihma e
fuqishme e Perëndisë është një nevojë jetësore për të. Lutja e bazuar në këto bindje të thella dhe
solemne është e vetmja lutje e vërtetë. Predikimi
që mbështetet prej një lutjeje të tillë është i vetmi predikim që mbjell fara
të jetës së përjetshme në zemrat e njerëzve dhe që i ngre dhe i forcon njerëzit
për në qiell.
Është e
vërtetë se – me pak ose aspak lutje – mund të ketë predikim popullor, të
këndshëm, predikim ndaj intelektit, që të rrëmben por që ka vetëm pak dobi. Por, predikimi që siguron qëllimin e Perëndisë
në të predikuar duhet të lindë prej lutjes, duke nisur nga ngjizja fillestare
deri në paraqitjen aktuale. Ai duhet të
jepet me energjinë dhe shpirtin e lutjes. Ai duhet të pasohet, të bëhet të mbijë dhe të
mbahet që të ketë një forcë jetësore në zemrat e njerëzve me anë të lutjeve të
predikuesit, për një kohë të gjatë pasi të jetë dhënë si predikim.
Ne mund ta
justifikojmë varfërinë frymërore të predikimit tonë në mënyra të shumta. Por, arsyeja e vërtetë për këtë është mungesa
e lutjes këmbëngulëse për praninë e Perëndisë në fuqinë e Frymës së Shenjtë. Ka predikues të panumërt të cilët mund të
bëjnë predikime mjeshtërore, por efektet janë jetëshkurtëra. Ato nuk ndikojnë në ato zona të shpirtit ku
zhvillohet lufta mes Perëndisë dhe Satanit, mes qiellit dhe ferrit, sepse këto
predikime nuk janë bërë prej lutjes së fuqishme, militante dhe frymërisht
fitimtare.
Predikuesit
që kanë rezultate të fuqishme pozitive për Perëndinë janë njerëzit që kanë
qëndruar duke iu drejtuar në lutjet e tyre Perëndisë PARA se të përpiqeshin t’u drejtoheshin njerëzve. Predikuesit që qëndrojnë më fuqishëm me
Perëndinë në dhomëzat e tyre janë më të fuqishmit me njerëzit në katedrat e
tyre.
Predikuesit
janë vetëm njerëz dhe shpesh janë të ekspozuar – të përfshirë në – rrymat e
fuqishme të emocioneve dhe problemeve njerëzore. Lutja është një punë frymërore dhe natyrës njerëzore
nuk i pëlqen puna frymërore tepër kërkuese. Natyra njerëzore dëshiron që të lundrojë drejt
qiellin nën një fllad të këndshëm dhe mbi një det të qetë si vaji. Lutja është punë përulëse. Ajo thyen intelektin dhe krenarinë, kryqëzon
mburrjen dhe sinjalizon falimentimin tonë frymëror. Të gjitha këto janë të vështira për t’u duruar
prej mishit dhe gjakut. Është më e lehtë
të mos lutesh se sa t’i durosh ato. Kështu
vijmë tek një nga të këqijat më të lemerishme të këtyre kohëve, ndoshta të të
gjitha kohërave – të luturit pak apo aspak. Nga këto dy të këqija, ndoshta të luturit pak
është më i keq se të luturit aspak. Të
luturit pak është diçka false, një qetësues për ndërgjegjen, një farsë dhe një
mashtrim.
Kujdesi i
paktë që tregojmë për lutjen duket qartë në faktin se sa pak kohë kalojmë në
të. Koha që i jepet lutjes prej
predikuesit mesatar zor se mund të llogaritet nëse shihet nën dritën se sa nga
koha që mbetet u jepet punëve të përditshme. Jo rrallë, lutja e vetme e predikuesit bëhet
në anë të shtratit të tij – në pizhama, gati për të rënë në shtrat. Ndoshta, ai shton edhe ndopak lutje shtesë
para se të vishet në mëngjes. Sa e
dobët, e kotë dhe sa e paktë është një lutje e tillë krahasuar me kohën dhe
energjinë që i kushtohej lutjes prej njerëzve të shenjtë, si në Bibël ashtu
edhe jashtë saj! Sa e varfër dhe e
mpakur është lutja jonë e rëndomtë dhe fëminore përkrah zakonit të lutjes që
njerëzit e vërtetë të Perëndisë kanë pasur gjatë gjithë kohërave! Perëndia u jep çelësat e mbretërisë së Tij
njerëzve që mendojnë se lutja është puna e tyre kryesore dhe që i kushtojnë
asaj kohë sipas vlerës së saj të lartë dhe rëndësisë së saj të madhe. Me anë të njerëzve të tillë, Ai kryen
mrekullitë e Tij frymërore në këtë botë. Lutja e madhe është shenja dhe vula e
udhëheqësve të mëdhenj të Perëndisë. Ajo
është më e zellshmja nga gjithë forcat pushtuese me të cilën Perëndia do t’i
kurorëzojë punët e tyre.
Predikuesit
i ngarkohet të lutet ashtu si edhe të predikojë. Misioni i tij nuk është i plotë nëse ai nuk i
bën të dyja mirë. Predikuesi mund të
flasë me gjithë elokuencën e njerëzve dhe engjëjve, por, në qoftë se nuk mund
të lutet me një besim që thërret gjithë qiellin në ndihmë, predikimi i tij do
të jetë “si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon”. Ai do të jetë i padobishëm për qëllimet e
përhershme, Perëndinderuese dhe shpirtshpëtuese.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.