Sekreti i fuqisë
“Në punën e ditëve të sotme ka një mungesë të
dukshme të ndikimit frymëror. E ndiej
këtë në rastin tim dhe e shoh edhe tek të tjerët. Kam frikë se mes nesh gjendet më tepër se ç’duhet
një damar i ulët administrimi, sajimi dhe manovrimi. Ne rropatemi më tepër se
ç’është e këshillueshme për të kënaqur shijet e dikujt e në të njëjtën kohë
edhe paragjykimet e dikujt tjetër. Shërbimi
ndaj Perëndisë është një punë e madhe dhe e shenjtë dhe duhet të gjejë tek ne
një zakon të thjeshtë të shpirtit dhe një indiferencë të shenjtë por të përulur
ndaj gjithë pasojave. Difekti kryesor i pastorëve të krishterë është mungesa e
një zakoni devocional”.
Richard Cecil
Kurrë më parë nuk ka pasur kaq nevojë për burra dhe gra
të perëndishme. Akoma më imperative
është thirrja për predikues të shenjtë dhe të devotshëm ndaj Perëndisë. Bota po lëviz me hapa gjiganteske. Satani ka në dorë dhe sundon botën dhe bën
gjithçka që lëvizjet e saj t’u nënshtrohen qëllimeve të tij. Krishterimi duhet të bëjë gjithë ç’është më e
mira, të paraqesë shembujt e tij më tërheqës dhe më të përsosur. Me çdo kusht, shenjtëria e kohëve të sotme duhet
të frymëzohet prej idealeve më të larta dhe prej mundësive më të mëdha
nëpërmjet Frymës.
Pali jetoi
më gjunjë, në mënyrë që kisha e Efesit të mund të kishte lartësitë, gjërësitë
dhe thellësitë e një shenjtërimi të pakufi dhe të
mbusheshin “me gjithë plotësinë e Perëndisë” (Efes. 3:18-19). Epafri pothuaj u shkri i tëri në mundimin
rraskapitës dhe konfliktin e ashpër të lutjes me gjithë shpirt, që kisha e
Kolosit të mund të qëndronte “e përsosur dhe të mbushur përplot në gjithë
vullnetin e Perëndisë” (Kol. 4:12). Kudo,
çdo gjë në kohën apostolike ishte në rritje në mënyrë që kushdo dhe çdo njeri i
popullit të Perëndisë të arrinte “tek uniteti i besimit dhe i njohjes së Birit
të Perëndisë, te një burrë i përsosur, në masën e moshës së plotësisë së Krishtit”
(Efes. 4:13).
Asnjë vlerësim nuk u bëhej atyre që nuk plotësonin
thirrjen e Perëndisë. Asnjë inkurajim
nuk i jepej një foshnjërie plakë. Foshnjat
duhet të rriteshin. Të vjetrit, në vend
të dobësisë dhe sëmundjeve duhet të jepnin fryte në pleqërinë e tyre dhe të
ishin plot shëndet e verë. Gjëja më
hyjnore në Krishterim janë burrat dhe gratë e shenjta.
Nuk ka asnjë
shumë të hollash, asnjë lloj gjenie dhe kulture që të mund t’i vërë gjërat në
lëvizje për Perëndinë. Shenjtëria që i
jep energji frymës – i gjithë njeriu në dashuri të zjarrtë, në dëshirë për më
tepër besim, më tepër lutje, më tepër zell, më tepër veçim – ky është sekreti i
fuqisë. Këto na nevojiten, këto duhet t’i
kemi dhe njerëzit duhet të jenë mishërimi i këtij përkushtimi të ndezur prej
Perëndisë. Përparimi i Perëndisë është
ndalur. Kauza e Tij është sakatosur,
emri i Tij është çnderuar si pasojë e mungesës së tyre. Gjenia (sado e lartë dhe sado e aftë),
arsimimi (sado i ditur dhe i rafinuar), pozita, dinjiteti, vendi dhe emrat e nderuar
nuk mund ta lëvizin këtë qerre të Perëndisë sonë. Ajo është një qerre e zjarrtë dhe vetëm forcat
e zjarrta mund ta vënë atë në lëvizje. Gjenia
e një Miltoni dështon. Forca e
madhërishme e një Leoje dështon. Por,
shpirti i Brainerdit mundi ta lëvizë atë. Shpirti i Brainerdit digjej zjarr për
Perëndinë, në zjarr për njerëzit. Asgjë
tokësore, botërore apo egoiste nuk mund të shuante këtë forcë dhe këtë flakë
gjithëdetyruese dhe gjithëkonsumuese.
Lutja është
në të njëjtën kohë edhe krijuesi edhe përçuesi i përkushtimit. Shpirti i përkushtimit është shpirti i lutjes.
Lutja dhe përkushtimi janë të lidhur siç
është i lidhur shpirti me trupin, siç është e lidhur jeta me zemrën. Nuk ka lutje të vërtetë pa përkushtim, as
përkushtim pa lutje. Predikuesi duhet t’i
nënshtrohet Perëndisë në përkushtimin më të shenjtë. Ai nuk është një profesionist; shërbimi i tij
nuk është një profesion. Ai është një
institucion hyjnor, një përkushtim hyjnor. Ai i është përkushtuar Perëndisë. Qëllimi i tij, aspiratat dhe ambicjet e tij
janë PËR Perëndinë dhe NDAJ Perëndisë; dhe për këto, lutja është aq e
domosdoshme sa edhe ushqimi për jetën.
Predikuesi,
mbi çdo gjë tjetër, duhet të jetë i përkushtuar ndaj Perëndisë. Marrëdhënia e predikuesit me Perëndinë është
shenja dalluese dhe kredencialet e shërbimit të tij. Kjo duhet të jetë e qartë, përfundimtare dhe e
pagabueshme. Devotshmëria e tij nuk
duhet të jetë një devotshmëri e zakonshme e tipit sipërfaqësor. Nëse nuk shkëlqen në hir, ai nuk shkëlqen
aspak. Nëse nuk predikon me anë të
jetës, karakterit dhe sjelljes, ai nuk predikon aspak. Devotshmëria e tij mund të jetë e lehtë,
predikimi i tij mund të jetë i butë dhe i ëmbël si një melodi e bukur,
megjithatë, pesha e saj do të jetë si ajo e një puple – si një vizion, që
fluturon si reja e mëngjesit dhe zhduket si vesa e agimit.
Përkushtim
ndaj Perëndisë – nuk ka gjë tjetër që ta zëvendësojë këtë në karakterin dhe
sjelljen e predikuesit. Përkushtimi ndaj
një kishe, ndaj opinionit, ndaj një organizate, ndaj ortodoksisë – këto janë të
parëndësishme, të kota dhe çorientuese kur bëhen burimi i frymëzimit. Perëndia duhet të jetë pikënisja kryesore e
përpjekjes së predikuesit, burimi dhe kurora e gjithë mundit të tij. Emri dhe nderi i Jezu Krishtit, përparimi i
kauzës së Tij, duhet të jetë e gjitha në gjithçka. Predikuesi nuk duhet të ketë frymëzim tjetër
veç emrit të Jezu Krishtit, asnjë ambicje tjetër veç t’i japë lavdi Atij, asnjë
mund tjetër gjë veç Tij. Pastaj lutja do
të jetë burimi i ndriçimeve të tij, mënyra për përparimin e përhershëm, masa e
suksesit të tij. Qëllimi i vazhdueshëm,
ambicja e vetme që një predikues mund të ketë është të ketë Perëndinë për krah.
Kurrë më
tepër se sot kauza e Perëndisë nuk ka qenë në një nevojë kaq të madhe për
shembuj të përkryer të mundësive të lutjes. Asnjë epokë, asnjë person, nuk ka për të
demonstruar fuqinë e Ungjillit përveç epokave apo personave të lutjeve të
thella dhe me gjithë shpirt. Një epokë
pa lutje do të ketë vetëm modele të pamjaftueshme të fuqisë hyjnore. Zemrat pa lutje nuk do të ngrihen kurrë në ato
lartësi plot lavdi. Epoka mund të jetë
një epokë më e mirë se e kaluara. Por,
mes përmirësimit të një epoke me anë të forcës së përparimit të qytetërimit dhe
përmirësimit me anë të rritjes së shenjtërisë dhe ngjashmërisë së saj me
Krishtin nëpërmjet fuqisë së lutjes, ka një dallim të pakufishëm.
Në kohën kur
erdhi Krishti judenjtë ishin në gjendje më të mirë nga ç’kishin qenë më parë. Kjo kohë ishte epoka e artë e fesë së tyre
farisaike. Epoka e tyre e artë, fetare,
kryqëzoi Krishtin. Gjatë kohërave para
Krishtit, nuk kishte pasur asnjëherë më shumë fetari, asnjëherë më pak lutje;
asnjëherë më shumë lëshim, asnjëherë më pak sakrifica; asnjëherë më shumë
idhujtari, asnjëherë më pak përkushtim ndaj Perëndisë; asnjëherë më shumë
adhurim tempulli, asnjëherë më pak adhurim Perëndie; asnjëherë më shumë shërbim
me gojë, asnjëherë më pak shërbim me zemër; asnjëherë më shumë kishëndjekës,
asnjëherë më pak besimtarë të vërtetë.
Është forca
e lutjes ajo që bën besimtarët. Karakteret
e shenjtë formohen me anë të fuqisë së lutjes së vërtetë. Sa më shumë besimtarë të vërtetë, aq më shumë
lutje; sa më shumë lutje, aq më shumë besimtarë të vërtetë.
Perëndia ka
tani, dhe ka pasur në të kaluarën, shumë nga këta predikues të përkushtuar dhe
lutjeplotë – njerëz në jetën e të cilëve lutja ka qenë një forcë e madhe, e
shquar dhe kontrolluese. Bota e ka ndjerë fuqinë e tyre. Perëndia e ka ndjerë dhe nderuar fuqinë e
tyre. Kauza e Perëndisë ka përparuar
fuqimisht dhe me shpejtësi me anë të lutjeve të tyre; shenjtëria ka ndriçuar në
karakterin e tyre me një shkëlqim hyjnor. Perëndia gjeti njërin nga ata që kërkonte te
David Brainerdi, emri dhe vepra e të cilit janë futur në histori. Ai nuk ishte një njeri i zakonshëm, por një
njeri i tillë që mund të shkëlqente në mes të çdo lloj shoqërie. Ai ishte njeri që u takonte atyre që ishin
plot urtësi e dhunti, i shquar dhe i përgatitur të fliste në katedrat më të
madhe dhe të punonte edhe mes më të diturve dhe më të kulturuarve që kërkonin
kaq shumë që ta kishin atë për pastor të tyre.
Jonathan Edwards, pastori dhe misionari me famë, jep
dëshminë e tij që Brainerdi “ishte një i ri me talente të shquara, kishte
njohuri të jashtëzakonshme për njerëzit dhe gjërat, kishte fuqi të rralla bisedore,
shkëlqente në njohjen e teorisë dhe vërtet, për një njeri kaq të ri, ishte
jashtëzakonisht hyjnor dhe veçanërisht në të gjitha çështjet që kishin të bënin
me Krishterimin praktik. Mënyra e tij e
lutjes ishte pothuaj e paimitueshme, e tillë që rrallë se i kam parë shoqen. Dituria e tij ishte shumë e madhe dhe ai
kishte dhunti të jashtëzakonshme për të folur në katedër”.
Nuk ka
histori më frymëzuese e më fisnike që të jetë regjistruar në analet tokësore se
ajo e David Brainerdit. Nuk ka mrekulli
që ta vërtetojnë të vërtetën e Krishterimit me më shumë fuqi hyjnore se jeta
dhe vepra e një njeriu të tillë. I vetëm
në egërsitë e ashpra të Amerikës, duke luftuar ditë e natë me një sëmundje
vdekjeprurëse, i pamësuar për përkujdes frymëror ndaj njerëzve, ai vendosi
plotësisht adhurimin e Perëndisë. Nën
pengesën që i shkaktonte të pasurit e një përkthyesi pagan nëpërmjet të cilit
ai u predikoi indianëve, i fuqizuar prej Fjalës së Perëndisë në zemrën dhe
duart e tij, ai ktheu shumë në shërbim të Perëndisë. Me shpirtin e tij të ndezur zjarr prej flakës
hyjnore dhe me gojën, zemrën dhe mendjen e tij gjithmonë në lutje, ai siguroi
gjithë rezultatet hirplota të thirrjes së tij dhe përkushtimit të tij hyjnor.
Indianët
përjetuan një ndryshim të madh nga forma shumë më e ulët e një paganizmi
injorant dhe të poshtëruar në një Krishterim të kulluar, të devotshëm dhe
inteligjent. Gjithë veset u reformuan;
detyrat e jashtme të Krishterimit u përqafuan dhe u zbatuan menjëherë. U vendos lutja në familje; Sabati u institucionalizua
dhe mbahej me gëzim. Hiret e brendshme
të Krishterimit shfaqeshin dhe rriteshin me një forcë dhe ëmbëlsi gjithnjë e në
rritje.
Shkaku i
këtyre rezultateve gjendet në David Brainerdin vetë – jo në kushte apo rastësi,
por në njeriun, në Brainerdin. Ai ishte
njeri i Perëndisë, së pari, së fundi dhe përgjithnjë për Perëndinë. Perëndia mund të lëvizte i papenguar nëpërmjet
tij. Plotfuqia e hirit nuk u ndalua dhe
as u pengua nga gjendjet e zemrës së tij. Gjithë përçuesi u zgjerua dhe u pastrua për
kalimin më të fuqishëm dhe më të plotë të Perëndisë. Kështu, Perëndia, me gjithë forcat e Tij
madhështore, mund të zbriste në shkretëtirën e ashpër dhe të pashpresë dhe e
transformoi atë në një kopsht të lulëzuar dhe të frytshëm. Nuk ka gjë që Perëndia nuk e bën nëse gjen
njeriun e duhur për ta bërë këtë.
Brainerdi
bëri një jetë shenjtërie dhe lutjeje. Ditari
i tij është i mbushur plot me shkrimet e sezonit të agjërimeve, meditimeve dhe
tërheqjes së tij në vetmi. Koha që ai
kalonte në lutje intime zgjaste për orë të tëra çdo ditë. “Kur kthehem në shtëpi”, - thoshte ai, - “dhe
i jepem meditimit, lutjes dhe agjërimit, shpirti im ka mall për vdekje,
vetëmohim, përulje, dhe shkëputje prej gjithë gjërave të botës. Unë s’kam të bëj aspak”, - thoshte ai, - “me
tokën, por vetëm punoj në të ndershmërisht për Perëndinë. Nuk dëshiroj të jetoj asnjë minutë për një gjë
të tokës”.
Ishte lutja
ajo që i dha fuqi të mrekullueshme jetës dhe shërbimit të tij.
Ai lutej sipas
këtij rregulli të lartë: “Duke ndjerë diçka të ëmbëlsisë dhe bashkësisë me
Perëndinë dhe forcës së Tij detyruese të dashurisë dhe sa admirueshëm e zapton
ajo shpirtin dhe bën që dëshirat dhe pasionet të kenë për qendër Perëndinë, unë
veçoj këtë ditë për lutje e agjërim ndaj
Perëndisë, për të më drejtuar dhe për të më bekuar në lidhje me punën e madhe
që kam për predikimin e Ungjillit dhe për të kërkuar që Zoti të më kthejë dhe
të më tregojë dritën e fytyrës së Tij. Kisha pak jetë dhe fuqi para dite. Andej nga mesi i mbasdites, Perëndia më mundësoi
të përleshem me zell në ndërmjetësim për miqtë e mi që nuk ishin të pranishëm,
por pikërisht natën Zoti më vizitoi mrekullueshëm në lutje. Mendoj se shpirti im kurrë nuk kishte qenë në
një agoni të tillë. Nuk ndieja ndonjë
pengesë, sepse thesaret e hirit hyjnor ishin të hapura për mua. Përleshesha për miqtë e mi që nuk ishin të
pranishëm, për kthimin e jobesimtarëve, për turmat e të vobektëve dhe për shumë
të cilët mendoja se ishin fëmijë të Perëndisë, personalisht në vende të
largëta. Isha në agoni qysh kur dielli
kishte veçse gjysëm ore që kishte dalë deri kur ra errësira, i mbuluar i tëri
nga djersa, por prapëseprapë më dukej sikur nuk kisha bërë asgjë. Oh, Shpëtimtari im i dashur djersiti gjak për
të pashpëtuarit! Kërkoja gjithnjë e më
shumë dhembshuri ndaj tyre. Ndihesha i
qetë në një gjendje plot ëmbëlsi, nën një ndjesi dashurie e hiri dhe rashë në
shtrat në po këtë gjendje, me zemrën te Perëndia”.
Njerëzit e lutjes së fuqishme janë njerëz të forcës
frymërore. Lutjet nuk vdesin kurrë. Tërë
jeta e Brainerdit ishte një jetë lutjeje. Para predikimit dhe pas predikimit ai lutej. Duke kalëruar nëpër vetminë e pambaruar të
pyllit ai lutej. Në shtratin e tij prej
kashte ai lutej. Duke u gjetur vetminë
në pyllin e dendur dhe të qetë ai lutej. Orë pas ore, ditë pas dite, herët në mëngjes
dhe natën vonë, ai lutej dhe agjëronte, duke derdhur shpirtin e tij, duke
ndërmjetësuar, duke biseduar me Perëndinë. Ai ishte fuqimisht në lutje me Perëndinë;
Perëndia ishte fuqimisht me të, dhe me lutjen, dhe edhe pse i vdekur ai flet e
punon e do të vazhdojë ta bëjë këtë deri sa të vijë fundi. Mes të lavdishmëve të asaj dite të lavdishme,
ai do të jetë i pari.
Jonathan
Edwards thoshte për të: “Jeta e tij tregon rrugën e drejtë për sukses në punët
e shërbimit. Ai e kërkoi atë si ushtari
kërkon fitoren në rrethim apo në beteje; ose si njeriu që vrapon në garë për të
fituar çmimin e madh. Si punonte ai duke
marrë jetë prej dashurisë ndaj Krishtit dhe njerëzve? Përherë me gjithë shpirt, jo vetëm në fjalë e
doktrinë, në publik apo vetmi, por edhe në lutje ditë e natë, duke u përleshur
në fshehtësi me Perëndinë dhe në dhimbje lindjeje me rënkime dhe agoni të
papërshkrueshme, deri sa Krishti të formohej në zemrat e njerëzve te të cilët
ishte dërguar. Si një bir i vërtetë i
Jakobit, ai këmbëngulte në përleshje përgjatë errësirës së natës, deri në
agimin e ditës!”
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.