06 Njerëz të mëdhenj lutjesh

Njerëz të mëdhenj lutjesh

    
  “Shkaku kryesor i dobësisë dhe pafrytshmërisë sime është prapambetje e madhe që kam në lidhje me lutjen.  Mund të shkruaj e të lexoj, apo të bisedoj e të dëgjoj me gjithë zemër.  Por, lutja është më frymërore dhe më e brendshme se çdonjëra prej këtyre dhe, sa më frymërore që të jetë një detyrë, aq më e madhe është prirja e zemrës mishtore për t’u larguar prej saj.  Lutja, durimi dhe besimi nuk zhgënjehen kurrë.  Kam mësuar prej kohësh se nëse do të bëhesha punëtor i Zotit, besimi dhe lutja duhet të ishin ato që do të më bënin të tillë.  Kur zemra ime shkrihet në lutje, gjithçka tjetër është mjaft e lehtë”.
Richard Newton


      Mund të konsiderohet një aksiomë frymërore se, në çdo shërbim vërtet të suksesshëm, lutja është një forcë evidente dhe kontrolluese.  Ajo është evidente dhe kontrolluese në jetën e predikuesit, evidente dhe kontrolluese në përshpirtshmërinë e punës së tij.  Një punë mund të jetë shumë mendimprovokuese pa lutje.  Predikuesi mund të sigurojë famë dhe popullaritet pa lutje.  E gjithë makineria e jetës dhe punës së predikuesit mund të punojë pa vajin e lutjes, apo me aq pak sa të mjaftojë për të grasatuar vetëm një dhëmbëz.  Por asnjë shërbim nuk mund të jetë frymëror – që të sigurojë shenjtëri në predikuesin dhe njerëzit e tij – pa e bërë lutjen një forcë evidente dhe kontrolluese.
      Vërtet, predikuesi që lutet vë Perëndinë në punën e tij.  Perëndia nuk vjen në punën e predikuesit si diçka që ka për të ndodhur apo sikur ky të jetë një parim i përgjithshëm.  Por, Ai vjen me anë të lutjes dhe një këmbënguljeje të veçantë.  Është po aq e vërtetë për predikuesin sa edhe për njeriun e penduar se Perëndia do të gjendet ditën që do ta kërkojmë me gjithë zemër.  Një shërbim plot lutje është i vetmi shërbim që do ta sjellë predikuesin në një dashamirësi me njerëzit.  Në atë mënyrë thelbësore që lutja bashkohet me njerëzoren, po kështu bashkohet edhe me hyjnoren.  Një shërbim lutjesh është i vetmi shërbim i kualifikuar për detyrat dhe përgjegjësitë e mëdha të predikuesit.  Nuk janë kolegjet, dijenia, librat, teologjia dhe predikimi ato që e bëjnë predikuesin, por lutja.  Detyra që iu ngarkua apostujve të predikonin nuk ishte asgjë deri sa u mbush me lutjen nga e cila rezultoi Pentakosti.  Shërbëtori lutjeplotë i Perëndisë ka kaluar tej rajoneve të popullores – tej njerëzve të punëve të rëndomta, punëve të botës dhe tërheqjes së katedrës.  Ai ka kaluar tej organizuesit dhe udhëheqësit kishtar dhe ka hyrë në një rajon më sublim dhe më të madhërishëm – rajonin e frymërores.
      Shenjtëria është produkt i punës plot lutje të predikuesit.  Zemrat dhe jetët e shndërruara ngrenë lart punën e tij, vërtetësinë e saj dhe natyrën e saj të fuqishme.  Perëndia është me të.  Shërbimi i tij nuk bazohet në parime të botës, as në parime sipërfaqësore.  Ai ka një përvojë të lartë dhe një njohuri të thellë të gjërave të Perëndisë.  Lidhjet e tij të thella dhe të gjata me Perëndinë për njerëzit e tij dhe agonia e frymës së tij luftarake e kanë kurorëzuar atë si një princ në gjërat e Perëndisë.  Akullsia dhe profesionalizmi kanë një kohë të gjatë që kanë shkrirë nën intensitetin e lutjes së tij.
      Rezultatet e sipërfaqshme të shumë shërbimeve dhe gjendja e vdekur e shumë të tjerëve janë pasojë e mungesës së lutjes.  Nuk ka asnjë shërbim që të ketë sukses pa lutje të shumta dhe këto lutje duhet të jenë themelore, përherë të qëndrueshme dhe përherë në rritje.  Teksti – predikimi – duhet të jetë rezultat i lutjes.  Studimi duhet të lahet në lutje, gjithë detyrat e tij të mbarsen me lutje, i tërë shpirti i tij të jetë shpirti i lutjes.
      “Më vjen keq që jam lutur kaq pak” – ishin fjalët me të cilat një i zgjedhur i Perëndisë shprehu keqardhjen në shtratin e tij të vdekjes.  Kjo është një keqardhje plot trishtim dhe pendim.  “Dua një jetë lutjeje më të madhe, më të thellë dhe më të vërtetë” – ka thënë kryepeshkopi Tait.  Këtë thënçim dhe sigurofshim të gjithë.
      Predikuesit e vërtetë të Perëndisë mund të dallohen prej një veçorie: ata janë njerëz lutjesh.  Shpesh, duke ndryshuar në shumë gjëra, ata kanë pasur një qendër të përbashkët.  Ata mund të kenë filluar nga pika të ndryshme dhe të kenë kaluar në rrugë të ndryshme, por takohen në një pikë: janë një në lutje.  Për ta Perëndia është qendra e tërheqjes dhe lutja është rruga që çon te Perëndia.  Këta njerëz nuk luten me raste – nuk luten pak apo nganjëherë.  Por, ata luten në një mënyrë të tillë që i bën lutjet e tyre të futen në karakterin e tyre dhe ta formojnë atë.  Ata luten në mënyrë të tillë që të ndryshojnë jetën e tyre, jetën e të tjerëve dhe që të bëjnë historinë e Kishës të ndikojë në rrjedhën e kohërave.  Ata kalojnë shumë kohë në lutje, jo se gjykojnë duke parë hijen mbi diskun e orës diellore apo akrepat e orës së zakontë, por sepse për ta kjo është punë kaq e rëndësishme dhe tërheqëse sa që rrallë se mund të shkëputen prej saj.
      Lutja është për ta ajo që ishte për Palin – një mundim me përpjekje të zellshme të shpirtit të tij.  Lutja është për ta ajo që ishte për Jakobin – përleshje dhe qëndrueshmëri.  Lutja është për ta ajo që ishte për Krishtin – lutje me klithma të larta dhe me lot. Ata luten “në çdo kohë dhe me çdo lutje dhe përgjërim në Frymë dhe, duke ndenjur zgjuar për këtë me çdo këmbëngulje dhe përgjërim” (Efes. 6:18).  Lutja e efektshme “me gjithë shpirt” ka qenë dhe është akoma arma më e fuqishme e luftëtarëve më të fuqishëm të Perëndisë.
      Ajo që thuhet për Elian – se ai “ishte një njeri njësoj si ne me pasione, dhe u lut duke kërkuar që të mos binte shi, edhe nuk ra shi mbi dhe për tre vjet e gjashtë muaj.  Dhe u lut përsëri dhe qielli dha shi dhe dheu dha frytin e vet” (Jak. 5:17-18) – është e vërtetë për të gjithë profetët dhe predikuesit të cilët kanë bërë që brezi i tyre të lëvizë për Perëndinë, ajo tregon mjetin me anë të të cilit ata bënë mrekullitë e tyre.
      Shumë lutje private duhet të jenë të shkurtra.  Lutjet publike, si rregull, duhet të jenë të shkurtra dhe të kondensuara.  Dhe, shpesh, është e nevojshme lutja spontane, lutja me klithma të larta.  Sidoqoftë, në marrëdhëniet tona intime me Perëndinë, koha është thelbësore për vlerën e lutjes.  Koha e gjatë kaluar me Perëndinë është sekreti i gjithë lutjes së suksesshme.
      Lutja që ka ndikime të mëdha është produkti i një kohe të gjatë të kaluar me Perëndinë.  Lutjet tona të shkurtra janë të efektshme dhe me rezultat sepse ato janë paraprirë prej lutjeve të gjata.  Lutja e shkurtër dhe këmbëngulëse nuk mund të bëhet prej një njeriu që nuk ka këmbëngulur me Perëndinë në një luftë akoma më të fuqishme e më të gjatë.  Fitorja e besimit të Jakobit nuk do të ishte korrur pa atë përleshje gjatë gjithë natës.  Njohja me Perëndinë nuk bëhet në nxitim e sipër.  Ai nuk ia jep dhuntitë e Tij njeriut të rastit që vjen e shkon me nxitim.  Ta kalosh shumë kohë vetëm me Perëndinë, ky është sekreti për ta njohur Atë dhe për të pasur ndikim me Të.  Ai i hap rrugën këmbënguljes së një besimi që e njeh Atë.  Ai ua jep dhuntitë e Tij më të mira atyre që, me anë të vazhdueshmërisë dhe zellshmërisë së këmbënguljes së tyre, shpallin dëshirën dhe vlerësimin e tyre për këto dhunti.
      Krishti, i cili në këtë dhe në gjëra të tjera, është shembulli ynë, kaloi netë të tëra duke u lutur.  Ishte zakon i Tij që të lutej shumë.  Ai kishte vendin e Tij të caktuar ku lutej zakonisht.  Historia e jetës dhe karakteri i Tij përbëhen nga shumë sezone të gjata lutjesh.  Pali lutej ditë e natë.  Tre lutjet ditore që Danieli bënte i merrnin atij kohë nga interesat e tjera të rëndësishme.  Lutja e tij e mëngjesit, drekës dhe darkës ishte padyshim, në shumë raste, shumë e gjatë dhe këmbëngulëse.  Edhe pse nuk na thuhet sesa zgjaste lutja që bënin këta njerëz, shohim se ata i kushtonin shumë kohë lutjes dhe, në disa raste, sezonet e gjata të lutjeve ishin diçka e zakonshme për ta.
      Nuk do të donim që ndokush të mendonte se vlera e lutjes së tij matet me orë.  Qëllimi ynë është të ngulitim në mendje domosdoshmërinë e të qenit për një kohë të gjatë vetëm me Perëndinë.  Dhe, nëse kjo veçori nuk është akoma produkt i besimit tonë, atëherë besimi ynë është i dobët dhe sipërfaqësor.
      Njerëzit që e kanë imituar më plotësisht Krishtin në karakterin e tyre dhe që e kanë vepruar më fuqimisht në botë për Të, kanë qenë njerëz të cilët kaluan kaq shumë kohë me Perëndinë sa e bënë këtë gjë një veçori të shquar të jetës së tyre.  Charles Simeon, predikuesi anglez i rigjallërimit, ia kushtonte Perëndisë kohën nga ora katër deri në tetë të mëngjesit.  John Wesley kalonte dy orë në ditë duke u lutur.  Ai fillonte në orën katër të mëngjesit.  Një njeri që e njihte mirë atë ka shkruar: “Ai mendonte se lutja ishte për të punë mbi gjithë të tjerat.  E kam parë të dalë prej dhomëzës së tij me një fytyrë kaq të kthjellët sa dukej sikur i shkëlqente”.
      John Fletcher, një pastor dhe autor anglez, leu muret e dhomës së tij me frymën e lutjeve të tij.  Nganjëherë ai lutej gjithë natën – gjithmonë, shpesh dhe me zell të madh.  Gjithë jeta e tij ishte një jetë lutjesh.  “Nuk ngrihesha nga vendi im”, - thoshte ai, - “pa i ngritur më parë zemrën time Perëndisë”.  Përshëndetja që ai u bënte shokëve të tij ishte: “A të takoj në mes të lutjes sate?”  Martin Luteri thoshte: “Nëse nuk kaloj dy orë çdo mëngjes në lutje, djalli është ai që fiton gjatë ditës.  Kam kaq shumë punë sa nuk mund të vazhdoj pa kaluar tre orë në lutje”.  Ai kishte një moto: “Ai që është lutur mirë, ka studjuar mire”.
      Kryepeshkopi Leighton kalonte kaq shumë kohë vetëm me Perëndinë sa dukej sikur ishte në një meditim të përhershëm.  “Lutja dhe lavdërimi ishin puna dhe kënaqësia e tij” – thotë biografi i tij.  Peshkopi Ken ishte kaq shumë me Perëndinë sa thuhet se shpirti i tij ishte dashuruar pas Perëndisë.  Ai ishte me Perëndinë para se ora të binte tre e mëngjesit.  Peshkopi Asbury thoshte: “Dua të ngrihem që në orën katër sa më shpesh që të mundem dhe të kaloj dy orë në lutje dhe meditim”.  Samuel Rutherford, aroma e devotshmërisë së të cilit është akoma e fortë, ngrihej në tre të mëngjesit për të takuar Perëndinë në lutje.  Joseph Alleine, një pastor anglez, ngrihej në orën katër për të vazhduar punën e tij të lutjes deri në orën tetë.  Nëse dëgjonte që zanaçinjtë kishin filluar punën para se ai të ishte ngritur, thoshte: “Oh, çfarë turpi për mua!  A nuk meriton Zoti im më shumë se zoti i tyre?”  Ai që e ka mësuar mirë këtë praktikë lutjeje i afrohet asaj me vullnet, menjëherë dhe me pranimin e bankës qiellore që kurrë nuk zhgënjen.
      Një nga predikuesit më të shenjtë dhe më të aftë skocezë ka thënë: “Duhet të kaloj orët më të mirë në shoqëri me Perëndinë.  Kjo është puna ime më fisnike dhe më e frytshme dhe nuk duhet hedhur mënjanë.  Koha nga ora gjashtë deri më tetë të mëngjesit janë orët më të qeta dhe kështu, duhet të jenë orët më me lutje.  Ora pas darkës është ora ime më e mirë dhe ajo duhet t'i dedikohet solemnisht Perëndisë.  Nuk duhet të heq dorë prej zakonit të vjetër dhe të mirë të lutjes para se të bie në shtrat; por duhet të ruhem prej gjumit.  Kur zgjohem gjatë natës duhet të ngrihem dhe të lutem.  Një kohë e shkurtër pas mëngjezit mund t'i kushtohet ndërmjetësimit”.  Ky pra ishte plani i lutjes për Robert Murray McCheyne.  Me lutjet e tyre, metodistët e paharruar na bëjnë me turp. “Nga katra deri në pesë të mëngjesit, lutje në privaci; nga pesa deri në gjashtë të mbrëmjes, lutje në privaci”.
      John Welch, predikuesi i shenjtë dhe i mrekullueshëm skocez, thoshte se e kishte kaluar keq ditën nëse nuk kalonte tetë ose dhjetë orë në lutje.  Ai mbante një batanije pranë krevatit në mënyrë që me të të mbështillej kur ngrihej të lutej gjatë natës.  Gruaja e tij ankohej kur e gjente atë përmbys mbi tokë duke derdhur lotë.  Ai i përgjigjej: “O grua, kam për t'u përgjigjur për shpirtrat e tre mijë vetëve dhe nuk e di se si janë shumë prej tyre!”
      Peshkopi Wilson thoshte: “Në ditaren e Henry Martyn-it, shpirti i lutjes, koha që ai i kushtonte kësaj detyre, dhe zjarri në këtë punë janë gjërat e para që më bëjnë përshtypje”.
      Payson-i bëri gropa mbi dyshemenë e fortë, atje ku gjunjët e tij binin kaq shpesh dhe për një kohë kaq të gjatë.  Biografi i tij thotë: “Koha e tij e vazhdueshme në lutje, pavarësisht nga rrethanat, është fakti që të bie më shumë në sy në historinë e tij.  Ajo tregon se ç’punë duhet të bëjnë të gjithë ata që duan të arrijnë lartësinë e tij.  Lutjet e tij të zjarrta dhe këmbëngulëse duhet padyshim të kenë qenë në një masë të madhe shkaku i suksesit të tij të shquar dhe pothuaj të pandërprerë”.
      Markezi DeRenty, për të cilin Krishti ishte më i çmuari, e urdhëroi shërbëtorin e tij që ta thërriste prej devocioneve të tij pas një gjysëm ore.  Një herë shërbëtori pa fytyrën e tij përmes derës së hapur.  Ajo kishte një shenjtëri të tillë sa që ai e urreu mendimin se duhej ta shqetësonte.  Buzët e tij po lëviznin, por ai vetë ishte i zhytur në një heshtje të përkryer.  Shërbëtori priti deri sa kishte kaluar një orë e gjysëm dhe pastaj e thirri.  Markezi u ngrit më këmbë nga pozicioni më gjunjë, duke thënë se gjysma e orës ishte kaq e shkurtër kur ishte në shoqëri me Krishtin”.
      Brainerdi thoshte: “Më pëlqen së tepërmi të jem i vetëm në kasollen time, ku mund të kaloj shumë kohë në lutje”.
      William Bramwelli është i famshëm në shkrimet metodiste për shenjtërinë personale, për suksesin e tij të mrekullueshëm në predikim dhe për përgjigjet e mrekullueshme ndaj lutjeve të tij.  Ai lutej për orë të tëra pa pushim.  Ai pothuajse jetonte më gjunjë.  Ai ishte si një flakë e zjarrtë kudo që ishte.  Zjarri i tij ndizej nga koha që ai kalonte në lutje.  Shpesh, kur tërhiqej në vetmi, ai kalonte deri edhe katër orë njëherazi në lutje.
      Peshkopi Andrews e kalonte çdo ditë pjesën më të madhe të pesë orëve në lutje dhe devocion.
      Sër Henry Havelock, një ushtarak i shquar britanik, gjithmonë kalonte dy orët e para të çdo mëngjesi vetëmpërvetëm me Perëndinë.  Nëse duhej të linin kampin në orën gjashtë, ai do të ngrihej që më katër.
      Konti Cairns, një gjykatës irlandez, ngrihej përditë që më gjashtë të mëngjesit që të kalonte një orë e gjysëm në studim të Biblës dhe në lutje, para se të drejtonte adhurimin familjar në orën tetë pa një çerek.
      Suksesi i Dr. Judson-it në punën e Perëndisë, si misionar amerikan në Indi, ishte pasojë e faktit që ai i jepte shumë kohë lutjes.  Për këtë ai thotë: “Rregulloji punët e tua, nëse është e mundur, në mënyrë të tillë që t'i kushtosh lirshëm dy ose tre orë në ditë, jo thjesht ushtrimeve devocionale, por vetë aktit në privaci të lutjes dhe shoqërisë me Perëndinë.  Përpiqu që shtatë herë në ditë të shkëputesh nga punët dhe shoqëria dhe t'ia drejtosh shpirtin tënd Perëndisë duke u tërhequr në një vend të qetë.  Filloje ditën duke u ngritur pas mesnatës dhe duke i kushtuar kohë në mes të qetësisë dhe errësirës së natës kësaj pune të shenjtë.  Le të të gjejë ora e parë e agimit në të njëjtën punë.  Le të dëshmojë ora nëntë, dymbëdhjetë, tre, gjashtë dhe nëntë në darkë të njëjtën gjë.  Ji i vendosur në kauzën e Tij.  Bëj gjithë sakrificat praktike për ta ruajtur këtë.  Zëre se ke fare pak kohë dhe se puna dhe shoqëria nuk duhen lejuar të të grabisin Perëndinë tënde”.
      “E pamundur!” – themi ne. – “Udhëzime prej fanatiku”.  Por Dr. Judson krijoi një perandori për Krishtin.  Ai hodhi themelet e Mbretërisë së Perëndisë me granit të paprishshëm në zemër të Burmës.  Ai ishte i suksesshëm – një nga njerëzit e paktë që nguliti Krishtin në botë.  Shumë njerëz me dhunti, gjenialitet dhe dituri më të madhe se ai nuk kanë pasur një ndikim të tillë.  Puna e tyre fetare u ngjan hapave nëpër rërë.  Por, puna e tij mbetet, sikur të ishte gdhendur në gur.  Sekreti i thellësisë dhe qëndrueshmërisë së saj gjendet në faktin që ai i jepte kohë lutjes. Ai e mbante hekurin të skuqur me lutje dhe Perëndia me zotësinë e Tij i jepte atij formën me fuqinë temperuese.  Asnjë njeri që nuk është njeri lutjesh nuk mund të bëjë një punë të madhe dhe të qëndrueshme për Perëndinë.  Dhe, askush nuk mund të jetë njeri lutjesh nëse nuk i jep shumë kohë lutjes.
      A është e vërtetë që lutja është thjesht të bërët e një zakoni – të mërzitshëm dhe mekanik?  A është ajo një veprim i rëndomtë me të cilin ne stërvitemi përderisa shtrimi, shkurtësia dhe sipërfaqshmëria janë elementët kryesorë të saj?
      “A është e vërtetë që lutja nuk është, ashtu siç thuhet, më shumë se një lojë gjysmëaktive e sentimenteve e cila rrjedh me ngathtësi përmes minutave dhe orëve të ëndërrimit të rehatshëm?”  Canon Liddoni, oratori anglez, vazhdon: “Le të përgjigjen ata që vërtet janë lutur.  Ata, së bashku me patriarkun Jakob, nganjëherë e përshkruajnë lutjen si një përleshje me një Fuqi të Padukshme e cila mund të zgjatë deri në orët e vona të natës e madje edhe deri në orët kur çel dita.  Ashtu si Shën Pali, ata nganjëherë e quajnë ndërmjetësimin e zakonshëm si një luftë me bashkërenditje forcash.  Kur luten, ata i kanë sytë të fiksuar te Ndërmjetësuesi i Madh në Gjetseman, në pikat e gjakut që bien mbi tokë në atë agoni dorëheqjeje dhe sakrifice.  Këmbëngulja është thelbi i lutjes së suksesshme.  Këmbëngulja nuk do të thotë ëndërrimtari, por punë me ngulm.  Është sidomos nëpërmjet lutjes që mbretëria e qiejve sulmohet fuqimisht dhe sulmuesit e marrin atë me force”.

      I ndjeri peshkopi Hamilton thoshte: “Ka të ngjarë që një njeri të mos sjellë ndonjë dobi të madhe me lutje nëse nuk fillon gjithçka duke e parë atë nën dritën e një pune që duhet të përgatitet dhe që duhet të ruhet me gjithë zellin me të cilin ne shohim ato gjëra që në mendimin tonë bëhen menjëherë më të domosdoshmet dhe më interesantet”.

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.